Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Hoxhaj përjashton kategorikisht mundësinë e koalicionit me LVV

Kandidati për kryeministër i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka përjashtuar kategorikisht mundësinë e një koalicioni me Vetëvendosjen pas zgjedhjeve.

Në një intervistë për “Die Press”, Hoxhaj ka deklaruar se marrin pjesë në një qeveri vetëm nëse udhëhiqet nga vetë ai dhe se gjithsesi ajo duhet të jetë pro-evropiane dhe pro-perëndimore.

Sa i përket dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë, Hoxhaj tha se si kryeministër nuk merr pjesë në një proces të ngadaltë teknik, por vetëm në një takim të madh, ku do të merrnin pjesë SHBA-ja, BE-ja, Beogradi e Prishtina, me një temë kryesore: njohja e ndërsjellë mes Serbisë e Kosovës.

“Në mars do të bëhen dhjetë vjet që kur kemi filluar dialogun me Beogradin. Ne nuk kemi nevojë ta zhvillojmë atë edhe për dhjetë vjet të tjera. Si kryeministër, nuk do të merrja pjesë në një proces të ngadaltë teknik, por do t’i pyesja miqtë tanë nëse ata mund të organizojnë një takim të madh në të cilin do të merrnin pjesë SHBA-ja, BE-ja, Beogradi dhe Prishtina. Me një temë kryesore: njohja e ndërsjellë mes Serbisë dhe Kosovës dhe kaq. Të gjitha temat e tjera janë diskutuar tashmë”, tha Hoxhaj.

Hoxhaj tha se nuk mendon se Serbia mund të bëhet anëtare e BE-së nëse nuk e di se ku janë kufijtë e saj.

Hoxhaj është pyetur edhe për presidentin serb Aleksandar Vuqiç i cili sipas Die Press ka ofruar që Beogradi të organizojë kampanja për vaksinimin anti-covid në zona të banuara nga serbët në Kosovë.

Hoxhaj tha se Vuqiç nuk është i interesuar të ndihmoj por po bënë politikë më këtë.

“Neve na duhen vaksina për të gjithë qytetarët e Kosovës, jo vetëm për serbët. Vuqiçi nuk është i interesuar të ndihmojë. Ai bën politikë me këtë. Ai tashmë e ka provuar atë edhe me testet e Coronës. Ashtu si Rusia dhe Kina, ai dëshiron të abuzojë me ndihmën humanitare për qëllime gjeopolitike. Ne nuk mund ta pranojmë këtë”, tha Hoxhaj.

Se çfarë pret nga Presidenti i ri i SHBA-së, Joe Biden, Hoxhaj tha se Biden i njeh shumë mirë problemet në Ballkan. Ai tha se ky është një nga shanset e fundit për t’i normalizuar marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Hoxhaj ka folur edhe për Gjykatën Speciale.

“Kjo na ka goditur rëndë, jo vetëm si parti, por edhe si vend. Në të njëjtën kohë, ne treguam se po punojmë me gjyqësorin ndërkombëtar. Që të dy, Thaçi dhe Veseli, do të dëshmojnë para gjykatës në Hagë se Ushtria Çlirimtare e shqiptarëve të Kosovës, UÇK, ka zhvilluar një luftë të ndershme”, tha ai.

 Hoxhaj tha se janë të sigurt që ata do të shpallen të pafajshëm.

“Thaçi dhe Veseli luajtën një rol të rëndësishëm në luftën për çlirimin e Kosovës, në bashkëpunim me SHBA-në dhe shtetet evropiane. Ata luftuan kundër regjimit të Milosheviqit të Serbisë, i cili më parë kishte zhvilluar luftëra edhe në Slloveni, Kroaci dhe Bosnjë. Ne nuk do të pranojmë që historia të rishkruhet”, tha Hoxhaj.