
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, Foto: Ambasada e SHBA-së në Kosovë
Hovenier: SHBA ka besim të plotë në BE-në, Borrellin e Lajçakun si ndërmjetës të dialogut Kosovë-Serbi
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka deklaruar se SHBA-të kanë besim të plotë në Bashkimin Europian, në përfaqësuesin e lartë të BE-së, Josep Borrell dhe përfaqësuesin e posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, si ndërmjetës të dialogut.
Kështu deklaroi Hovenier në fjalën e tij në Samitin e Paqes dhe Demokracisë.
“SHBA-ja ka besim të plotë në BE-në në ndërmjetësimin e saj të dialogut, dhe SHBA-ja ka besim të plotë në përfaqësuesin e lartë të BE-së, Josep Borrell dhe përfaqësuesin e posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, si zbatues objektivë të kësaj politike”- deklaroi Hovenier.
Ai tha se SHBA-të duan ta shohin Kosovën si anëtare të BE-së dhe pjesë të strukturave europiane.
“Ne duam të shohim Kosovën duke zënë vendin që i takon, si një shtet i vogël nga Ballkani Perëndimor, që është i njohur nga i gjithë komuniteti ndërkombëtar për atë që është, një shtet plotësisht i pavarur dhe sovran. Kjo është e padiskutueshme. Dua të them se ne duam ta shohim Kosovën në këto institucione, anëtare në BE dhe në NATO”- tha Hovenier.
Sipas ambasadorit, vetëm dialogu mund të sjellë paqe në rajon.
“Nuk është sekret që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët e shohin dialogun e udhëhequr nga BE si mundësinë më të mirë dhe të vetme për zhvillimin e integrimit të plotë në Bashkimin Europian dhe sigurimin e paqes dhe prosperitetit në rajon”- u shpreh ai.
Hovenier thekson se njohja reciproke mes dy vendeve duhet të ndodhë pasi siç tha ai, nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme pa të.
“Qëllimi i SHBA-ve mbetet i qartë, marrëveshja aktuale dhe përpjekjet për të avancuar normalizimin e marrëdhënieve është një hap i përkohshëm drejt një qëllimi të përbashkët, njohja reciproke mes këtyre dy shteteve. Kjo duhet të ndodhë, nuk mund të kesh paqe të qëndrueshme pa të”- vlerësoi Hovenier.
“Duke punuar drejt normalizimit të marrëdhënieve, duke punuar drejt zbatimit të plotë të marrëveshjes së Ohrit dhe aneksin e zbatimit, nga të dyja palët, që është edhe pritshmëri e jona, është rruga përpara, sjell Kosovën më afër këtij vizioni që ndajmë për integrim të plotë në BE dhe strukturat europiane”- tha mes tjerash ambasadori amerikan.
Në anën tjetër një konferencë për media të hënën, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha që Lajçak në takimin e 14 shtatorit ka qenë në një linjë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
“Në takimin e dytë atë trilateral me Vuçiqin, u ekspozova para një skenari të cilin zotëri Lajçak duket që e kishte dizajnuar kohë më parë” – tha Kurti në një konferencë për media.
Sipas tij, Vuçiq dhe Lajçak kanë reaguar me të njëjtin mendim shpërfilljeje të koordinuar ndaj propozimit të tij.
Kurse të martën, zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano, i ka quajtur të pabaza deklaratat e kryeministrit Albin Kurti.
Stano në një konferencë për media ka thënë se Lajçak dhe Borrell kanë besimin e vendeve anëtare të BE-së si ndërmjetësues të bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit.
“Së pari në lidhje me deklaratat e z. Kurti ne nuk komentojmë komente, veçanërisht nëse ato përmbajnë akuza të pabaza”- tha Stano.
Më 14 shtator në Bruksel u takuan kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, takim i ndërmjetësuar nga shefi i diplomacisë europiane Josep Borrell dhe emisari Mirosllav Lajçak.
Takimi u përmbyll pa progres.
Nga BE thanë se progres nuk pati për shkak të qëndrimeve të Kurtit.
Ndërsa Kurti dhe Vuçiq, në konferenca të ndara për media, akuzuan njëri-tjetrin për mungesën e rezultateve në takim.
Kurti tha se “kushtëzimi i Serbisë” për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe “është shndërruar në qëndrim të emisarëve të BE-së”.
Sipas Vuçiqit, Kurti, thjesht, “i shmanget formimit të Asociacionit…”.