Foto: ZKM

Hoti: Vetëm njohja reciproke Kosovë - Serbi i normalizon marrëdhëniet

Këtë të hënë më 31 gusht, ekipi Qeverisë së Kosovës do të niset për në Washington për takimin e datës 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë me palën serbe.

Ekipi i Kosovës në këtë takim do të përbëhet prej 8 personave, përfshirë edhe  kryeministrin Avdullah Hoti.

Të shtunën, Kryeministri Avdullah Hoti ka shkruar se vetëm njohja reciproke në mes Kosovës dhe Serbisë i normalizon marrëdhëniet në mes të dy vendeve dhe e qetëson këtë pjesë të Ballkanit dhe Evropës.

Hoti tutje ka shtuar se në takimet e tij të mëhershme me përfaqësuesit e Serbisë “ njohja reciproke është tema e vetme”, kurse Hoti ka thënë se nuk do të hezitojë të zhvillojë dialogun nisur nga kjo qartësi e plotë e procesit.

Në fund Kryeministri Hoti ka ftuar subjektet tjera politike, pozitë dhe opozitë që të jenë të unifikuar në këtë proces, kjo pasi që sipas tij gara politike ndërmjet subjekteve politike mund të zhvillohet për tema të tjera të politikës siç janë ekonomia, arsimi, shëndetësia dhe fusha tjera.

Ndërkohë Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, sot ka thënë se do të refuzojë të takohet me presidentin amerikan Donald Trump nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të kërkojnë që Serbia të pranojë pavarësinë e Republikës së Kosovës.

Ditë më parë kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ndonëse e ka mirëpritur takimin e 4 shtatorit në Uashington, e ka refuzuar ftesën e kryeministrit, Avdullah Hoti për të qenë pjesë e delegacionit kosovar.

Partia më e madhe opozitare, Lëvizja Vetëvendosje po ashtu e ka refuzuar këtë ftesë dhe nuk kanë pranuar të jenë pjesë e delegacionit për bisedime.