Avdullah Hoti. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Hoti: Një qeveri normale nuk ia bën këto dëme Kosovës

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka kritikuar mospjesëmarrjen e kryeministrit Albin Kurti në takimin joformal të mbajtur në Tiranë lidhur me Procesin e Berlinit.

Përmes një postimi në Facebook, Hoti ka thënë se ‘një qeveri normale, e angazhuar për integrim euro-atlantik të Kosovës, nuk ia bën Kosovës këto dëme’.

“E përjetuam kohën kur: Kosova përjashtohet nga ushtrimet e përbashkëta me NATO-n, Kosovës i vendosen sanksione nga Bashkimi Evropian dhe Kosova vendos vetë të mos merr pjesë në takimin lidhur me Procesin e Berlinit”- ka shkruar Hoti.

Në takimin joformal të sotëm të liderëve të Ballkanit nuk ka marrë pjesë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ani pse ishte ftuar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili ishte edhe nikoqir i këtij takimi.

Kurti ka zgjedhur që sot të jetë në Greqi si pjesëmarrës i Simpoziumit Ndërkombëtar SYMI.

Takimi është menduar të zhvillohet në kuadër të përgatitjeve për samitin e Procesit të Berlinit, që do të mbahet në kryeqytetin e Shqipërisë, më 16 tetor.

Anulimi i mbledhjes së përbashkët mes dy qeverive nga kryeministri Edi Rama ngjalli diskutime për një “krisje të raporteve” mes Ramës e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Më 7 korrik, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka vizituar Kosovën, ku u takua me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeparlamentarin Glauk Konjufca por jo me kryeministrin Albin Kurti i cili nuk konfirmoi takimin.

Kryeparlamentari Konjufca deklaroi se ajo se çka ka ndjerë Kosova me anulimin e mbledhjes së dy qeverive ka qenë “lëndim”.

Rama për mungesën e Kurtit: Kush deshi – erdhi, kush s’mundi – s’erdhi