Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Hoti kërkon reagimin e QUINT-it dhe të BE-së për presionin e Listës Serbe ndaj pakicave jo serbe në Kosovë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti i ka dërguar një letër ambasadorëve të vendeve anëtare të QUINT-it dhe ambasadorit të BE-së në Kosovë, përmes së cilës ka kërkuar reagimin e tyre, pas deklaratave të presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq, si dhe presionit dhe kërcënimeve të Listës Serbe, ndaj pakicave jo serbe në Kosovë.

Hoti ka deklaruar se këto deklarata si dhe presioni e frikësimi i pakicave jo-serbe, kanë për qëllim të ndërhyjnë në zgjedhjet parlamentare të Kosovës dhe të prishin proceset demokratike në vend.

“Këto sjellje janë të papranueshme. Ne kërkojmë nga ju që të merrni të gjitha masat e nevojshme ndaj kësaj qasje të rrezikshme dhe ta bëni të qartë se ndërhyrja në proceset politike në Kosovë nuk mund të kalojë pa pasoja, për ata që janë të përfshirë’’, ka shkruar Hoti.

Sipas ZKM-së,  Hoti ka shprehur përkushtimin institucional të Kosovës për të organizuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, duke mundësuar pjesëmarrjen e të gjithë qytetarëve me të drejtë vote, si garantuesin më të mirë për shprehjen e vullnetit të lirë të njerëzve dhe krijimin e institucioneve demokratike.

Ky reagim i Hotit ka ardhur pasi në emisionin “Kallxo Pernime” dy ditë më parë është transmetuar debati me zyrtarë të partive politike nga pakicat, të cilët e kanë denoncuar Listën Serbe, që sipas tyre është duke provuar t’i ‘blejë’ votat.

 

Të ftuarit në debat folën për problemet të cilat janë duke ndodhur në radhët e komuniteteve, më saktësisht pazaret me votat e komuniteteve pakicë dhe rrezikun që Lista Serbe t’i kontrollojë vendet e rezervuara për boshnjakët, romët dhe disa komunitete të tjera.

Pjesëmarrës në emision  kanë qenë, Nenad Rashiq nga PDP, Duda Baljenga SDU, Anesa Qolakoviq nga NDS dhe Sllavisha Petkoviq nga SDS.