Arkiv - Ish-Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti në Bruksel, 25 qershor 2020, Foto: Zyra e Kryeministrit

Hoti: Asnjëherë nuk më është paraqitur një ide e tillë

Ish-kryeministri Avdullah Hoti në një bisedë të shkurtë për KALLXO.com ka folur për letrën “Non-paper”, që supozohet se vjen nga përfaqësues të Gjermanisë dhe Francës.

Ish-kryeministrit Hoti, tani deputet i LDK-së tha për KALLXO.com se gjatë kohës sa ka qenë kryeministër i vendit, asnjëherë nuk iu është prezantuar një ide e tillë nga askush.

“Jo, asnjëherë nuk është paraqitur një ide e tillë para meje”, tha Hoti fillimisht.

Hoti ka treguar se me marrjen e detyrës si kryeministër në qershor të vitit të shkuar ka përgatitur një platformë të cilën ua ka dërguar të gjitha vendeve të Quintit dhe në Bruksel.

“Kur unë e kam marrë detyrën në qershor të vitit të kaluar, e kam përgatitur platformën për dialog. Aty janë specifikuar parimet e qarta të dialogut: Dialog për marrëveshje finale për njohje reciproke dhe normalizim të plotë të marrëdhënieve, integriteti territorial dhe karakteri unitar i shtetit të Kosovës janë të pagenociueshëm. Pastaj, kemi shtruar temat me të cilat fillon dialogu, ku tema e të pagjeturve ka qenë e para. Këto parime dhe kjo platformë është prezantuar te qeveritë e vendeve të Quintit dhe në Bruksel. Dhe mbi këto parime ne kemi zhvilluar dialogun”, tha Hoti për KALLXO.com.

Një letër të cilën e ka siguruar KALLXO.com nga burimet e veta brenda Bashkimit Evropian, përveç idesë se krijimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, Kosovës po i kërkohet që veriu i vendit të jetë një Rajon Autonom.

“Distrikti Autonom i Kosovës së Veriut do të përfshijë territorin e qyteteve të Zveçanit dhe 35 fshatra të tij, Leposaviq dhe 72 fshatrat e tij, Mitrovicën e Veriut dhe zonën kadastrale të qytetit të Zubin Potokut dhe 63 fshatrat e tij. Distrikti Autonom i Kosovës së Veriut do ta ketë Guvernatorin e tij i cili do ta përfaqësojë Qeverinë e Kosovës, Kuvendin që do ta përfaqësojë popullin dhe Këshillin Ekzekutiv që do të jetë një organ i përbashkët i Distriktit Autonom, Qeveria e Kosovës, Qeveria e Serbisë dhe Bashkimi Evropian”, thuhet në letrën e siguruar nga KALLXO.com.

Kjo letër e cila raportohet se është e shkruar nga Franca dhe Gjermania, është mohuar nga ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rode.

Ambasadori gjerman në Kosovë Rode e ka quajtur lajmë të rremë se kjo letër është shkruar një Gjermania dhe Franca.

Ai nuk e ka mohuar se kjo letër ekziston, por vetëm ka deklaruar se ajo nuk është një letër gjermano-franceze.

Përveç Asociacionit, Kosovës në Bruksel i kërkohet ‘Rajon Autonom i Veriut të Kosovës’ (Dokumenti i plotë)