Foto: Policia e Kosovës

Heroinë, marihuanë e metadon gjenden në banesën e të arrestuarit në Prishtinë

5 qese me narkotikë, që dyshohet të jetë heroinë, me peshë 17.60 gramë, një grinder, në të cilin kishte narkotikë që dyshohet të jetë marihuanë, me peshë 3.09 gramë, dy peshore digjitale, një shishe e qelqit metadon, një telefon, 165 euro dhe 200 lekë, u gjetën në banesën e R.A. në Prishtinë.

Ky i fundit është arrestuar sot gjatë angazhimeve të Policisë në parandalimin dhe luftimin e trafikimit me substanca narkotike.

Policia pas mbledhjes së informatave relevante në terren përmes realizimit të një plani taktik rreth orës 12:40 në rrugën “Sadik Zeneli” kanë ndaluar personin e dyshuar.

Me rastin në fjalë është marrë Njësiti i antidrogës në Prishtinë, e pas ndalimit të të dyshuarit operacioni policor ka vazhduar edhe me kontrollimin e banesës së të dyshuarit ku janë gjetur gjësendët e lartcekura.

Lidhur me rastin Policia ka thënë se është kontaktuar prokurori kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Rënda në Prishtinë dhe me urdhër të tij  i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.