Haziri: LDK gati për Qeverinë e re

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, tha se LDK është e gatshme për të marrë përgjegjësi.

“Ne sot mund ta bëjmë qeverinë, nëse na jepet mandati. Ne vetëm me PDK-në, nuk do të bëjmë koalicion, pasi që është vendim i Këshillit të përgjithshëm të LDK-së për të mos e pasur atë parti partnere”, tha ai sot në një intervistë për RTK.

Për bashkëpunimin me Vetëvendosjen, Haziri vlerësoi se ata duhet të mësojnë nga gabimet që i kanë bërë karshi LDK-së.

Qeveria e Kosovës në krye me Albin Kurtin u rrëzua më 25 mars nga një mocion i mosbesimit i iniciuar nga partneri qeverisës, Lidhja Demokratike e Kosovës.

Mocioni u votua me 82 vota për, 34 kundër, dhe 1 abstenim.

Qeveria Kurti u rrëzua në ditën e 52-të të qëndrimit në pushtet.

Qeveria Kurti u miratua me 3 shkurt të këtij viti në Kuvendin e Kosovës, pas më shumë se 100 ditësh negociata LVV-LDK dhe rreth 4 muaj pas zgjedhjeve të parakohshme të 6 tetorit 2019, të cilat të parën e renditën LVV-në, e të dytën LDK-në./RTK