Haxhiu e quan Qeverinë Kurti "pushtet Kuisling"

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, është deklaruar lidhur me protestën e sotme për veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Haxhiu tha se çdo lidhje e ushtarëve të UÇK-së me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq është vetëm një hipokrizi e radhës e këtij pushteti, të cilin e ka cilësuar si “pushtet Kuisling”.

“Kuisling” ka hyrë në fjalorin anglez nga ish-kryeministri norvegjez, Vidkun Kuisling, i cili në këmbim të parave i dha informata Hitlerit dhe tashmë mbiemri i tij është simbol i tradhëtisë ndaj kombit/vendit/popullit. Kuisling pas rënies së Hitlerit u ekzekutua për tradhëti të lartë kombëtare.

Haxhiu ka thënë se kjo sot ishte më shumë një revoltë sesa një protestë për audio-inicimet e shefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila me Sllavko Simiq nga Lista Serbe.

“Besoj që kjo ishte veç një revoltë më shumë sesa protestë, revolt e qytetarëve, e veteranëve për atë çfarë ka ndodhur dhe është shpërfaqë në aferën Zdravo ku kërkohet mbështetja e njerëzve të Vuçiqit për mos me i votu ose me i përjashtu nga paga minimale veteranët e UÇK-së” – ka thënë Haxhiu.

Tutje deputeti i PDK-së foli edhe për postimin e ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, i cili lidhi protestën me luftën hibride të Serbisë dhe gazetarët në Kosovë.

Për të parin e MPB-së, Haxhiu tha se ai është një dezertor i luftës, që sipas tij ka ikur nga fronti i luftës në vitin 1998.

“Ai ka qenë në zonën ku unë kam udhëhequr luftën e UÇK-së. Pak para ofensivës së shtatorit ka ikë se e ka rrok barku edhe ka ardh në Prishtinë. Edhe tash po na fol ai neve për Vuçiqin, qekaq” – tha Haxhiu.

“E para ai është një dezertor i luftës i cili ka ikë në 1998 prej vijës së frontit edhe e ka braktisë luftën e UÇK-së për patriotizëm e për lufta hibride atë mundet me marr atë shkollë vetën në LVV, por jo diku tjetër” – shtoi tutje ai.

Madje, Haxhiu tha se pushteti aktual në Kosovës është shpërfaqë dhe tani ka raporte të fshehta me Millan Radoiçiqin, ndaj të cilit ka një urdhër arrest në Kosovës, e edhe me presidentin serb Vuçiq.

“Nuk mundet më me i shit kopalla askujt kjo Qeveri nuk ka legjitimitet me qëndru në pushtet, vetëm ata që mund të besojnë në tru-shpëlarje që munden me qenë tradhtar munden me i mbështetë këta njerëz pas aferës Zdravo” – shtoi deputeti.

Mospërfshirja e veteranëve të UÇK-së në Ligjin për pagën minimale dhe publikimi i audio-incizimeve në të cilat dëgjohet Mimoza Kusari Lila duke biseduar me anëtarin e Listës Serbe, Sllavko Simiq, për veteranët ka bërë që të thirret një protestë në Prishtinë.

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë përkrahur këtë protestë pasi kërkesa e tyre për përfshirje në Ligjin për pagën minimale tash e sa kohë përsëritet.

Për këtë protestë, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla pati një reagim dhe lidhi protestën me luftën hibride të Serbisë dhe gazetarët në Kosovë.

Ky postim i ministrit bëri që krerët e partive opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës të reagojnë.