Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Haradinaj: Nuk kemi marrëveshje me LVV-në për votimin e presidentes

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka deklaruar se nuk kanë ndryshuar qëndrim në lidhje me votimin e presidentit të ardhshëm të Kosovës.

I pyetur nga KALLXO.com për këtë çështje, Haradinaj theksoi se nuk kanë marrëveshje me Lëvizjen Vetëvendosje.

“Ne kemi mirëpritur mundësinë të bisedojmë me fituesit e zgjedhjeve, në këtë rast me kryetarin e Vetëvendosjes z. Kurtit, me zonjën Osmani. Nuk kemi marr prej tyre një propozim, një kërkesë, një marrëveshje politike për të votuar ose presidenten ose qeverinë. Ata nuk kanë kërkuar prej neve një bashkëpunim”, theksoi ai.

Duke komentuar vendimin e LDK-së që të qëndrojë në sallën e Kuvendit kur të votohet kandidatja për presidente Vjosa Osmani, duke ia mundësuar kështu asaj kuorumin, Haradinaj tha se ka raport të ri mes LDK-së dhe LVV-së.

“E pash një njoftim se LDK e ka një vendim të tillë, pra është një marrëdhënie e re mes LDK-së dhe Vetëvendosjes, por sa i përket Aleancës me Vetëvendosjen nuk ka ndryshuar asgjë”, u përgjigj Haradinaj.

Seanca e Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e presidentit është paralajmëruar të mbahet ditët e ardhshme.