Haradinaj: Nëse dikush duhet të lirohet nga kriminelët e luftës, ajo është Serbia

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka marrë pjesë sot në shënimin e 22 vjetorit të Masakrës në Burgun e Dubravës.

Në fjalën e rastit, Haradinaj tha se shumë shqiptarë shumicën e jetës së tyre, e kanë kaluar nëpër burgje duke përmendur kështu, jetën dhe sakrificat e Adem Demaçit e Smajl Haradinajt dhe duke thënë se nuk është se kjo masakër ishte fillimi i së keqes në burgjet për shqiptarët.

Ai tha se mbi 500 mijë njerëz janë keqtrajtuar, janë persekutuar dhe kanë qenë eksperiment për pushtetin serb.

“Në kohën kur ka ndodhur kjo masakër, shqiptarët kanë qenë të organizuar në luftë për liri, për me e ndal pikërisht tragjedinë e shqiptarëve, jo vetëm në Kosovë por në ish Jugosllavi, sepse kanë qenë gjithë në burg”, u shpreh kreu i AAK-së.

Haradinaj tha se kushdo që i ikë kësaj të vërtete bënë gabim, nuk mund të fitosh duke mos qenë në dijeni për gjenocid dhe e pas të qartë konceptin e asaj se si kanë ndodhur krimet në vendin tonë, kush i ka bërë ato krime dhe pse erdhën deri te krimet, sepse për 100 vjet Kosova ka qenë e pushtuar nga Jugosllavia, Tito e mbi të gjitha nga Millosheviçi.

Ai tha se gjenocidi ka filluar shumë më herët, para fillimit të bombardimeve të NATO-s, se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë e detyruar të luftojë dhe se ka bërë luftë të drejtë.

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës, mos harroni është themeli i 17 Shkurtit 2008”, u shpreh Haradinaj.

Ai theksoi se nëse thuhet që Ballkani duhet liruar prej kriminelëve të luftës është e gabueshme dhe nëse dikush duhet me u liru prej kriminelëve të luftës është vetëm Serbia.

“Duhet të jemi të guximshëm të themi të vërtetën, të kërkojmë të drejtën tonë, e drejta jonë ka me dal në dritë. Lavdi gjithë dëshmorëve që ranë për liri”, tha në fund Haradinaj.