Haradinaj kujton Nolin në 138 vjetorin e lindjes

Kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj ka kujtuar Fan Stilian Nolin në 138 vjetorin e linjës.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, kryeministri Haradinaj ka shkruar se Noli ishte ideolog kombëtar e strateg, vepra kolosale e të cilit u bë udhërrëfyese për të gjithë shqiptarët.

“Fan Noli nuk ishte vetëm burrë shteti, prift e dijetar. Ai ishte ideolog kombëtar e strateg, vepra kolosale e të cilit u bë udhërrëfyese për të gjithë shqiptarët. Në 138 vjetorin e lindjes së tij, këshillat e idetë e tij, janë më aktuale se kurrë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Noli lindi më 6 janar 1882, në fshatin Ibriktepe në Trakinë Lindore në ish- Perandoria Osmane, tash Turqi.

Noli u shqua në shumë fusha të dijes, si në letërsi, përkthime, politikë, muzikë e histori. Një kontribut të madhe dha në pavarësimin e Kishës Ortodokse Shqiptare nga ajo greke.

Ishte pjesë aktive e zhvillimeve politike në Shqipëri gjatë viteve të 20-ta të shekullit të kaluar, duke qenë edhe prijësi i zhvillimeve të qershorit të 1924, që çuan në rrëzimin e qeverisë së atëhershme të kryesuar nga Ahmet Zogu dhe formimin e qeverisë së re të kryesuar nga Noli.

Pas rrëzimit të qeverisë së tij, po atë vit Noli u vendos në SHBA duke u larguar nga jeta politike.

Vdiq më 13 mars 1965 në Florida të SHBA-ve.