Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Haradinaj: Krimi i organizuar ka sulmuar Policinë e Kosovës

Ish-kryeministri i Kosovës dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar lidhur me sulmet ndaj disa policëve të Kosovës dhe ka thënë se këto akte kriminale janë alarm për të gjithë.

Haradinaj ka thënë se Policinë e Kosovës e ka sulmuar krimi i organizuar.

“Krimi i organizuar ka sulmuar Policinë e Kosovës. Këto akte kriminale janë alarm për të gjithë. Krimi i organizuar nuk ka përkatësi politike as etnike. Ai i rrezikon të gjithë qytetarët, pavarësisht përkatësisë etnike, andaj është në interesin e secilit individ dhe komunitet që ta denoncojë e ta luftojë krimin”, ka thënë Haradinaj.

“Të distancohemi nga dhuna e nga krimi e të bashkohemi në luftën e pakompromis ndaj tij”, ka thënë Hardianaj përmes një postimi në Facebook.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se sot rreth orës 7:40 ka ndodhur një sulm me granatë dore dhe kallashnokov ndaj disa policëve të Kosovës të cilët kanë qenë duke shkuar për të realizuar ndërrimin në pikat kufitare.

Sipas ministrit, ky sulm tashmë është i faktuar. Ministri Sveçla në konferencë për media ka thënë se në tri ditët e fundit janë realizuar katër sulme ndaj policëve të Kosovës në veri.

“Është bërë për qëllim të frikësimit të policëve. Grupe të ndryshme në 3 ditët e fundit kanë realizuar 4 sulme në atë zonë. Sulmi i parë ka ndodhur duke vendosur iriqa metalik në kohën e njëjtë me sulmin e sotëm me qëllim që të pamundësojnë punën e Policisë së Kosovës dhe në të njëjtën kohë të rrezikojnë jetën e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës”, ka thënë Sveçla.

Ndërsa, drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, në konferencë për media ka thënë se brenda tri ditëve (13-15 prill) janë realizuar katër sulme të sinkronizuara në një territor ku sulmet kanë ndodhur shumë afër njëra tjetrës.

Ai ka thënë se më 13 prill kanë ndodhur dy sulme, më 14 prill një sulm dhe sot një sulm.

Mbrëmë në orët e vona ka pasur të shtëna me armë në Zubin Potok, të cilat Policia e Kosovës nuk ka arritur t’i identifikojë nëse kanë qenë nga brenda territorit të Kosovës apo Serbisë.