Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Haradinaj e quan 'hap të madh' pranimin e propozimit të emisarëve nga Kurti

Deputeti i AAK-së, Ramush Haradinaj ka deklaruar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka vendosur Kosovën në pozicion të duhur me pranimin e propozimit që kanë bërë 5 emisarët më 21 tetor.

Haradinaj këtë veprim e ka quajtur ‘hap të madh’.

“Dje Kosova ka bërë një hap të madh përpara. Kryeministri Kurti pra me pranimin e propozimit të 5-shës për implementim, e ka vendos Kosovën në një pozicion të duhur pas shumë gabimeve dhe pas një kohe të gjatë të humbur në dialog. Sipas bindjes sime me zhvillimet e djeshme, BE-ja duhet t`i heq sanksionet menjeherë. Kryeministri i Kosovës ka shpreh gatishmëri me zbatu dokumentin qe e ka sjell pesëshja dhe nuk ka shpreh vërejtje, dhe është e pa kuptim me na vazhdu me sanksione”- është shprehur Haradinaj.

Teksa ka përmendur presidentin e Francës, Emmanuel Macron, Haradinaj ka thënë se “Kosova e ka mbajt fjalën”.

Ai ka kërkuar nga BE-ja të mos ketë dilema në procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Ndërsa, tutje i ka bërë thirrje Kurtit të veproj në koordinim të plotë me aleatët e sigurisë.

“I bëj thirrje kryeministrit Kurti që në etapat tjera në këtë situatë ta kthej prapa por të veproj në koordinim të plotë me aleatët sigurisë. Kemi interes me nis procesin për anëtarësim në NATO”- tha ai.

“Për mua dita e djeshme është hap përpara për Kosovën”- tha ai.

“Presidenti i Serbisë, Vuçiq, ka refuzuar të nënshkruajë marrëveshje me Kosovën, dhe ka kërkuar që t’i pranohet një letër anësore me të cilën praktikisht i zhbën tri parime të Marrëveshjes Bazë, të Aneksit të Zbatimit si dhe të draftit të propozuar nga pesë emisarët me 21 tetor 2023” – thuhet në komunikatën e Qeverisë së Kosovës.

Qeveria ka lëshuar një komunikatë pas takimeve që kryeministri Albin Kurti ka pasur me udhëheqës europianë dje në Bruksel.

“Republika e Kosovës e ka pranuar Marrëveshjen Bazike të Brukselit të 27 shkurtit 2023 dhe Aneksin Zbatues të Ohrit të 18 marsit 2023. Këto dokumente të dakorduara janë një sukses i përbashkët me Bashkimin Evropian. Marrëveshja duhet zbatuar në tërësi, pa kushte, pa vonesa” – ka thënë Qeveria e Kosovës.

Qeveria pas takimeve të Kurtit në Bruksel: Kosova ka qenë e gatshme të nënshkruajë marrëveshjet, Serbia jo