Haradinaj bën thirrje të hiqen barrikadat në veri: T’i kalojmë festat e fundvitit në qetësinë familjare

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe ish-kryeministri, Ramush Haradinaj ka bërë thirrje për heqjen e barrikadave në veri të vendit.

Që nga 9 dhjetori në veri të vendit u vendosën barrikada të cilat pamundësojnë lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave.

Për këtë, dy pikë-kalimet kufitare, në Bërnjak dhe Jarinjë, janë mbyllur.

Sipas ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, brenda Evropës, duke përjashtuar Ukrainën, nuk ka një vend tjetër që pengon lëvizjen e lirë.

Ai përmes një reagimi në rrjetin social Facebook tha se serbët lokal në katër komunat veriore të vendit nuk kanë arsye të jenë të frikësuar.

“Nuk besoj se ka një rast tjetër ku qytetarët e një shteti për më shumë se 20 vjet nuk e paguajnë rrymën e shpenzuar, por këtë e bën shteti në emër të tyre, siç është rasti i Kosovës. Prandaj, serbët në veri nuk kanë arsye të ndjehen as të rrezikuar as të nëpërkëmbur, e aq më pak kanë nevojë ta bllokojnë veten e veriun” – deklaroi ai.

“I ftoj përfaqësuesit politikë serbë, intelektualët e gjithë njerëzit e arsyeshëm, kudo ku janë, në Kosovë apo në Serbi, që të ushtrojnë gjithë ndikimin e tyre për heqjen e barrikadave. Po ashtu, u bëj thirrje të gjitha vendeve mike të Kosovës apo të Serbisë, NATO-s e KFORIT, që të ndihmojnë në heqjen sa më parë të barrikadave, kësaj njolle të fundit në Evropë. T’i kalojmë festat e fundvitit si evropianë e të civilizuar, në qetësinë familjare e jo në barrikada e me urrejtje për njëri-tjetrin” – tha deputeti i Kuvendit, Ramush Haradinaj.

Sot janë bërë 12 ditë prej kur në veri të vendit u vendosën barrikadat në rrugët që çojnë në drejtim të pikave kufitare me Serbinë.

Serbët lokal po kundërshtojnë një arrestim të një ish-polici serb i cili po hetohet nga organet e drejtësisë për sulm mbi zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.