Haradinaj: Angazhimi i Anton Çettës, frymëzues për të gjithë brezat

Kryeministri në largim, Ramush Haradinaj ka përkujtuar veprimtarin dhe pajtuesin e gjaqeve, Anton Çettën, në 24 vjetorin e vdekjes së tij.

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka shkruar se Anton Çetta paraqet unifikuesin shqiptar dhe angazhimi i tij do të jetë frymëzim për të gjithë brezat.

“Iluministi atdhetar, Anton Çetta, përmes bashkimit e pajtimit të popullit shqiptar ia doli që me lëvizjen e tij ta shkëpusë shoqërinë tonë nga epoka e gjakmarrjes për ta unifikuar në lëvizjen për liri e pavarësi. Kujtimi për unifikuesin shqiptar, pajtimtarin e mijëra gjaqeve dhe humanistin e madh nuk është zbehur as pas 24 vjetësh nga vdekja e tij. Angazhimi i tij me peshë historike do të jetë frymëzues për brezat”, ka shkruar Haradinaj.