Foto: Ejup Maqedonci/Facebook

Hapja e bazës ajrore në Kuçovë, Maqedonci: Si çdoherë kombi shqiptar në anën e duhur të historisë

Ministri i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Ejup Maqedonci konsideron se hapja e bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë është një ngjarje historike që do t’i jap karakter tjetër gjeostrategjik Shqipërisë dhe Ballkanit në përgjithësi.

Duke qenë i pranishëm në Kuçovë, ai ka thënë se hapja e kësaj baze përbën investimin më madhor të Shqipërisë dhe aleancës së NATO-s.

“Kjo bazë që do të shërbej si bazë ajrore taktike e operacionale përbën investimin më madhor të Shqipërisë dhe aleancës së NATO-s, si aset i vyer i mbrojtjes kolektive në dekadën më të kërcënuar të sigurisë” – u shpreh ministri Maqedonci.

Baza ajrore në Kuçovë, sipas tij, dëshmoi edhe rreshtimin e drejtë të kombit shqiptar në shërbim të paqes.

“Si çdoherë kombi shqiptar është në anën e duhur të historisë, andaj dhe kjo bazë ashtu si dhe të gjitha kapacitetet ushtarake do të jenë vetëm në funksion të paqes” – shkroi i pari i Ministrisë së Mbrojtjes.

Pas hapjes së bazës ajrore në Kuçovë, sipas tij, situata e sigurisë në Ballkan do të shihet nga një prizëm tjetër.

Gjersa Forca e Sigurisë së Kosovës në përputhje me Planin Gjithëpërfshirës të Tranzicionit do të ngrisë dhe kapacitetet e saj ajrore, ai ka uruar që Shqipëria të vazhdojë ndërtimin e flotës moderme ajrore.

“Bashkëpunimi ndërmjet shteteve anëtare të NATO-s dhe fqinjëve që duan stabilitetin sigurisht është më i konsoliduar se kurrë”, ka përfunduar Maqedonci.

Foto: Ejup Maqedonci/Facebook
Foto: Ejup Maqedonci/Facebook

Sulmi në Banjskë përmendet në ceremoninë e hapjes së bazës ajrore të NATO-s në Shqipëri