Grusht shteti në Niger, udhëheqësit e juntës thonë se presidenti i rrëzuar mund të përballet me akuza për tradhti

Udhëheqësit e grusht shtetit në Niger kanë thënë se presidenti i rrëzuar i vendit, Mohamed Bazoum, mund të akuzohet për “tradhti të lartë” dhe minim të sigurisë së shtetit, raporton The Guardian.

Përmes një njoftimi në televizionin shtetëror të dielën mbrëma, zëdhënësi i juntës, kolonel Maj Amadou Abdramane, deklaroi se regjimi ushtarak “ka mbledhur provat e nevojshme për ta ndjekur penalisht përpara autoriteteve kompetente kombëtare dhe ndërkombëtare presidentin e rrëzuar dhe bashkëpunëtorët e tij vendas dhe të huaj për tradhti të lartë dhe për minim të sigurisë së brendshme dhe të jashtme të Nigerit.

Bazoum, presidenti i zgjedhur në mënyrë demokratike i Nigerit, u rrëzua nga anëtarët e gardës së tij presidenciale më 26 korrik dhe që atëherë ka qenë në arrest shtëpiak me gruan dhe djalin e tij në kompleksin presidencial në kryeqytet, Niamey.

Njerëz të afërt me presidentin si dhe ata në partinë e tij në pushtet thonë se u është ndërprerë energjia elektrike dhe uji dhe se po u mbarojnë ushqimet.

Junta i hodhi poshtë këto raporte të dielën mbrëma dhe i akuzoi politikanët afrikano-perëndimorë dhe partnerët ndërkombëtarë për nxitjen e një fushate dezinformimi për ta diskredituar juntën tashmë në pushtet.

Presioni ndërkombëtar po rritet mbi juntën për ta liruar dhe rikthyer presidentin Bazoum.

Menjëherë pas grushtit të shtetit, blloku rajonal i Afrikës Perëndimore ECOwAS i dha regjimit shtatë ditë për ta kthyer presidentin në pushtet ose kërcënoi me forcë ushtarake, por ky afat erdhi dhe shkoi pa asnjë veprim nga asnjëra palë.

Javën e kaluar, ECOwAS urdhëroi vendosjen e një force “të gatishmërisë”, por mbetet ende e paqartë kur ose nëse kjo forcë do të futet në Niger.

Përgatiti: Nuhi Shala