Shteti afrikan i Nigerit e mbyll hapësirën ajrore, skadon afati për ta rikthyer në pushtet presidentin e rrëzuar

Shteti afrikan i Nigerit e ka mbyllur hapësirën ajrore të dielën deri në njoftimin e mëtejshëm, duke përmendur kërcënimin e ndërhyrjes ushtarake nga bllok rajonal i ECOWAS (Komunitetit Ekonomik të Shteteve të Afrikës Perëndimore) pasi udhëheqësit e grushtit të shtetit refuzuan një afat kohor për të rikthyer presidentin e rrëzuar të vendit.

“Përballë kërcënimit të ndërhyrjes që po bëhet më e dukshme… Hapësira ajrore e Nigerit është e mbyllur nga sot”, tha një përfaqësues i juntës në një deklaratë në televizionin kombëtar të dielën në mbrëmje.

Ai tha se ka pasur një dislokim paraprak të forcave në dy vende të Afrikës Qendrore në përgatitje për një ndërhyrje, por nuk dha detaje.

“Forcat e armatosura të Nigerit dhe të gjitha forcat tona të mbrojtjes dhe sigurisë, të mbështetura nga mbështetja e pandërprerë e popullit tonë, janë të gatshme të mbrojnë integritetin e territorit tonë”, tha përfaqësuesi i lartcekur.

Shefat e mbrojtjes të Komunitetit Ekonomik të Shteteve të Afrikës Perëndimore (Ecowas) kanë rënë dakord për një plan të mundshëm veprimi ushtarak, duke përfshirë kur dhe ku të godasin nëse Bazoumi nuk lirohet dhe nukrikthehet në afatin e së dielës.

ECOWAS nuk i është përgjigjur një kërkese nga The Guardian për koment se cilët do të ishin hapat e saj të ardhshëm. Një zëdhënës më herët tha se do ta lëshonte një deklaratë në fund të ditës.

Më parë, mijëra mbështetës të juntës u mblodhën në një stadium në Niamey, kryeqytet, duke brohoritur vendimin për të mos u dorëzuar deri të dielën pas rrëmbimit të pushtetit më 26 korrik që e rrëzoi presidentin e zgjedhur në mënyrë demokratike Mohamed Bazoum.

Grushti i shtetit, i shtati në Afrikën Perëndimore dhe Qendrore në tri vjet, e ka tronditur rajonin e Sahelit, një nga më të varfërit në botë. Duke pasur parasysh pasurinë e tij me uranium dhe naftë dhe rolin e tij kryesor në një luftë me militantët islamikë, Nigeri ka një rëndësi të madhe për SHBA-në, Evropën, Kinën dhe Rusinë.

Nigeri javën e kaluar i anuloi marrëveshjet e bashkëpunimit ushtarak me Francën, e cila ka mes 1,000 dhe 1,500 trupa në këtë vend.

Transmetimet televizive të së dielës përfshinin një debat mbi inkurajimin e solidaritetit përballë sanksioneve të ECOWAS, të cilat kanë çuar në ndërprerje të energjisë elektrike dhe në rritje të çmimeve të ushqimeve.

Kërcënimi ushtarak i bllokut ka shkaktuar frikën e konfliktit të mëtejshëm në një rajon që tashmë po lufton me kryengritjen vdekjeprurëse islamike që ka lënë mijëra të vrarë dhe ka detyruar miliona të tjerë të largohen.

Çdo ndërhyrje ushtarake mund të komplikohet nga një premtim nga juntat në Malin fqinj dhe Burkina Faso për t’i dalë në mbrojtje të Nigerit nëse është e nevojshme, duke thënë se çdo ndërhyrje ushtarake kundër udhëheqësve të rinj ushtarakë në Niger do të konsiderohej si një “shpallje lufte”. Franca njoftoi të dielën se po e pezullon ndihmën për zhvillim dhe ndihmën buxhetore për Burkina Fason.

Kryeministri i Nigerit, Ouhoumoudou Mahamadou, tha të shtunën në Paris se qeveria e rrëzuar ende beson se një marrëveshje e minutës së fundit ishte e mundur të arrihet.

Të dielën, autoritetet italiane kanë thënë se e kanë reduktuar numrin e trupave të saj në Niger për të krijuar hapësirë në bazën e saj ushtarake për civilët italianë të cilët mund të kenë nevojë për mbrojtje nëse siguria e tyre përkeqësohet./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala