Junta ushtarake në Niger emëron kabinetin në përpjekje për ta konsoliduar pushtetin

Junta ushtarake e Nigerit e cila e mori pushtetin dy javë më parë e ka emëruar një kabinet të ri dhe e ka ndaluar shumicën e ndërmjetësve ndërkombëtarë nga vendi, në një përpjekje të mundshme për ta konsoliduar pushtetin kundër presionit ndërkombëtar.

Blloku rajonal i Afrikës Perëndimore ECOWAS, i cili më parë kërcënoi se do ta përdorte forcën ushtarake për ta rikthyer qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike, pritet të takohet sërish të enjten për të diskutuar situatën.

Junta refuzoi t’i pranonte ekipet e ndërmjetësimit që duhej të vinin të martën, të dërguara nga OKB-ja, Bashkimi Afrikan dhe ECOWAS duke përmendur “arsye të qarta sigurie në këtë atmosferë kërcënimi”, sipas një letre të parë nga Associated Press.

ECOWAS vendosi një afat të dielën për Nigerin për ta rikthyer Presidentin Mohamed Bazoum, një afat ky të cilin junta e injoroi dhe që kaloi pa veprim nga blloku ECOWAS.

Në një deklaratë të martën, ECOWAS tha se po përpiqet të gjejë një zgjidhje paqësore për krizën dhe do të vazhdojë “t’i vendosë të gjitha masat e nevojshme për të siguruar kthimin në rendin kushtetues”.

Udhëheqësit ushtarakë zgjodhën si kryeministër ekonomistin civil Ali Mahaman Lamine Zeine. Zeine është ish-ministër i ekonomisë dhe financave që la detyrën pasi qeveria e tij u rrëzua nga grusht shteti i mëparshëm ushtarak në vitin 2010 dhe më vonë punoi në Bankën Afrikane të Zhvillimit.

“Themelimi  i një qeverie është i rëndësishëm dhe sinjalizon të paktën për popullatën, se ata kanë një plan në vend, me mbështetje nga e gjithë qeveria”, thotë Aneliese Bernard, ish-zyrtare e Departamentit të Shtetit të SHBA, e specializuar në çështjet afrikane dhe e cila tani është drejtorshë i Këshilltarëve të Stabilizim Strategjik, një grup këshillues për rrezikun.

Ushtarët kryengritës e arrestuan presidentin Bazoum dhe morën pushtetin më 26 korrik, duke pretenduar se mund të bënin një punë më të mirë në mbrojtjen e Nigerit nga dhuna xhihadiste. Grupet terroriste të lidhura me Al-Kaedën dhe Daesh-in e kanë shkatërruar rajonin Sahel, një hapësirë e madhe në jug të shkretëtirës së Saharasë.

Mirëpo, shumica e analistëve dhe diplomatëve thonë se arsyeja nuk qëndron dhe se marrja e pushtetit ishte rezultat i një lufte për pushtet midis presidentit dhe udhëheqësit të gardës së tij presidenciale, gjeneral Abdourahmane Tchiani, i cili tani thotë se ai udhëheqë me vendin.

Grushti i shtetit vjen si një goditje për shumë vende në Perëndim, të cilat e panë Nigerin si një nga partnerët e fundit demokratik në rajon me të cilin mund të punonin për ta mposhtur kërcënimin ekstremist. Nigeri është gjithashtu një furnizues i rëndësishëm i uraniumit.

Partnerët e Nigerit kanë kërcënuar se do t’i ndërpresin qindra miliona dollarë ndihmë ushtarake nëse nuk i kthehet rregullit kushtetues.

Ndërkohë që kriza po zvarritet, rreth 25 milionë banorë të Nigerit po mbajnë peshën kryesore. NIgeri është një nga vendet më të varfra në botë, dhe shumë nigerinë jetojnë në kiushte të vështira ekonomike dhe thonë se janë shumë të përqendruar në gjetjen e ushqimit për familjet e tyre për t’i kushtuar shumë vëmendje krizës në përshkallëzim.

Sanksionet e ashpra ekonomike dhe të udhëtimit të vendosura nga ECOWAS që nga grushti i shtetit kanë bërë që çmimet e ushqimeve të rriten deri në 5%, thonë tregtarët.

Kryeqyteti i Nigerit, Niamey, u shfaq më i tensionuar të martën, me forcat e sigurisë që kontrollonin automjetet. Këtë javë, junta ushtarake e mbylli hapësirën ajrore të Nigerit dhe e pezulloi përkohësisht autorizimin për fluturimet diplomatike nga vendet mike dhe partnere, thuhet në njoftim nga Ministria e Jashtme.

Gjithashtu këtë javë, Zëvendës Sekretarja e Shtetit e SHBA-së, Victoria Nuland u takua me krerët e grushtit të shtetit, por tha se ata refuzuan ta lejonin atë të takonte Bazoumin, i cili është arrestuar që kur u rrëzua. Ajo i përshkroi ushtarakët kryengritës si të papranueshëm ndaj apeleve të saj për t’i nisur negociatat dhe për ta rivendosur sundimin kushtetues.

SHBA ka rreth 1100 personel ushtarak në Niger dhe e sheh këtë vend si një partner strategjik dhe të besueshëm në rajon.

Nuland bëri më shumë përparim se delegacionet e tjera. Një delegacion i mëparshëm ECOWAS u pengua të largohej nga aeroporti.

Është e paqartë se çfarë koordinimi po bëhet midis përpjekjeve të ndryshme të ndërmjetësimit. Disa ekspertë janë shqetësuar me faktin se nëse përpjekjet nuk koordinohen, kjo mund ta minojë ECOWAS.

“Unë mendoj se SHBA do të arrijnë një modus vivendi me këtë juntë, nëse junta do të jetë veçanërisht e përshtatshme për interesat e SHBA-së, por kjo nuk duket të jetë në tavolinën e bisëdimeve tani për tani,” thotë Alexander Thurston, asistent profesor i shkencave politike në Universiteti i Cincinnati.

Mirëpo analistët thonë se sa më shumë kohë duhet për të gjetur një zgjidhje, aq më shumë kohë i duhet juntës ushtarake për të gërmuar dhe aq më pak vrull do të ketë mundësi për ta rrëzuar atë. Vendet e rajonit janë gjithashtu të ndara për mënyrën se si të procedohet tutje.

Mali dhe Burkina Faso fqinjë, që të dyja udhëhiqen nga regjimet ushtarake, e kanë mbajtur anën e juntës dhe kanë paralajmëruar se një ndërhyrje në Niger “do të ishte e barabartë me një shpallje lufte” kundër tyre. Në një letër të përbashkët të martën drejtuar Kombeve të Bashkuara, të dy vendet i bënë thirrje OKB që “t’i parandalojë me të gjitha mjetet në dispozicion, veprimet e armatosura kundër një shteti sovran”. 

Mali dhe Burkina Faso kanë dërguar gjithashtu përfaqësues në Niamey këtë javë për t’i diskutuar opsionet ushtarake. /Daily Sabah

Përgatiti: Nuhi Shala