Grusht shteti në Niger: Vendet e Afrikës Perëndimore aktivizojnë një 'forcë gatishmërie'

Vendet e Afrikës Perëndimore e kanë miratuar ndërhyrjen e armatosur në Niger “sa më shpejt të jetë e mundur”, thotë presidenti i Bregut të Fildishtë, pas një takimi për të diskutuar grushtin e shtetit në këtë vend.

Në takim, udhëheësit e bllokut rajonal ECOWAS thanë se kanë rënë dakord për ta mbledhur një forcë ushtarake “të gatishmërisë”.

Presidenti i Nigerisë Bola Tinubu tha se përdorimi i forcës do të jetë “zgjidhja e fundit”.

Një juntë ushtarake e mori pushtetin në Niger më 26 korrik.

SHBA dhe OKB thonë se janë të shqetësuara për shëndetin dhe sigurinë e presidentit të rrëzuar Mohamed Bazoum, i cili ka kaluar më shumë se dy javë në arrest shtëpiak.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres tha se është i shqetësuar për “kushtet e mjerueshme të jetesës” në të cilat thuhet se ndodhen zoti Bazoum dhe familja e tij.

Pas takimit të ECOWAS, Alassane Ouattara i Bregut të Fildishtë tha se ECOWAS ka ndërhyrë më parë në vendet afrikane për ta rivendosur rendin kushtetues më parë.

“Sot kemi një situatë të ngjashme në Niger dhe më pëlqen të them se ECOWAS nuk mund ta pranojë këtë”, tha ai.

Ouattara ka thënë se Bregu i Fildishtë do të sigurojë një batalion prej 850 deri në 1,100 burrash duke shtuar se ushtarë nga Nigeria dhe Benini gjithashtu do të vendosen si forcë.

Omar Touray, president i grupit ECOWAS, ka thëë se anëtarët kanë vendosur “të urdhërojnë vendosjen e forcës së gatishmërisë ECOWAS për ta rivendosur rendin kushtetues në Niger”.

Ai nuk ka dhënë detaje të mëtejshme se si mund të duket forca që synon të grumbullohet ose çfarë veprimi mund të marrë.

Përpara takimit, klerikët myslimanë nga Nigeria veriore, e cila ndan një kufi të gjatë me Nigerin, i kanë kërkuar presidentit nigerian Tinubu që të mos e përdorë forcën për t’irrëzuar udhëheqësit e grushtit të shtetit.

Por duke folur pas takimit, Tinubu ka deklaruar se “asnjë opsion nuk është hequr nga tavolina, duke përfshirë përdorimin e forcës si mjetin e fundit.

Udhëheqësit e grushtit të shtetit kanë paralajmëruar se do ta mbrojnë veten kundër çdo ndërhyrjeje ushtarake.

ECOWAS  i ka dhënë një afat deri të dielën e kaluar juntës së Nigerit për ta rikthyer qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike, mirëpo ky afat është shpërfillur nga kjo e fundit.

Në vend të kësaj, udhëheqësit ushtarakë kanë emëruar një kabinet të ri qeverisës.

Si SHBA ashtu edhe Franca kanë baza ushtarake në Niger, të cilat janë përdorur si pjesë e përpjekjeve për t’i luftuar grupet xhihadiste në rajonin e gjerë të Sahelit.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken i tha BBC-së në fillim të kësaj jave se ai beson se grupi mercenar i Rusisë ëagner po “përfiton” nga paqëndrueshmëria në Niger./BBC

Përgatiti: Nuhi Shala