Grushtshteti në Niger: I dërguari i SHBA zhvillon bisedime 'të vështira' me juntën ushtarake

Zyrtarja e lartë amerikane, njëkohësisht Ushtruesja e detyrës së Zëvendës Sekretarit të Shtetit, Victoria Nulan, ka zhvilluar bisedime ballë për ballë me udhëheqësit ushtarakë të Nigerit pas grushtit të shtetit të muajit të kaluar në këtë vend të Afrikës Përendimore.

Sipas Nuland bisedat kanë qenë “jashtëzakonisht të sinqerta dhe nganjëherë mjaft të vështira”.

Uashingtoni ka thënë se grushtshteti ende mund të përfundojë diplomatikisht dhe Presidenti Mohamed Bazoum të rikthehet në detyrë, mirëpo i ka pezulluar pagesat e ndihmës ndërkohë.

Vendet e Afrikës Perëndimore do të takohen të enjten për të diskutuar këtë krizë.

ECOWAS- blloku tregtar i 15 shteteve të Afrikës Perëndimore – u kishte dhënë një afat të dielën në orën 23:00 sipas orës së atjeshme lokale liderëve të juntës së Nigerit që të largoheshin dhe ta rikthenin në pozitë presidentin e zgjedhur.

Udhëheqësit e grushtit të shtetit iu përgjigjën një kërcënimi për veprime ushtarake nga ECOWAS duke e mbyllur hapësirën ajrore të Nigerit.

Duke folur për gazetarët nga kryeqyteti Niamey, zonja Nuland tha se, në bisedimet që zgjatën më shumë se dy orë, SHBA kishte ofruar ndihmën e saj “nëse ka një dëshirë nga ana e njerëzve që janë përgjegjës për këtë për t’u kthyer në rendin kushtetues”.

Zonja Nuland tha se ajo ishte takuar me shefin e ri të shtabit ushtarak, gjeneral brigade Moussa Salaou Barmou, por jo me udhëheqësin e ri të vetëshpallur të Nigerit, gjeneralin Abdourahamane Tchiani, ose me zotin Bazoum.

Bazoum mbetet ende në paraburgim.

Nuland tha se ajo gjithashtu ka ngritur shqetësime lidhur me pretendimet se udhëheqësit e grushtit të shtetit i kishin kërkuar grupit mercenar rus Wagner për ndihmë për ta mbajtur kontrollin e vendit.

“Njerëzit që kanë ndërmarrë këtë veprim këtu i kuptojnë shumë mirë rreziqet për sovranitetin e tyre kur Wagner ftohet”, tha ajo.

Gjenerali Tchiani, një ish-shef i gardës presidenciale të Bazoum, mori pushtetin më 26 korrik, duke thënë se donte ta shmangte “vdekjen graduale dhe të pashmangshme” të Nigerit.

Paqëndrueshmëria në rritje në rajon e detyroi ish-fuqinë koloniale Francën të hënën t’i paralajmërojë qytetarët e saj kundër udhëtimit në rajonin e Sahelit dhe që ata që janë ende atje të jenë të kujdesshëm për shkak të ndjenjave anti-Francë.

“Është thelbësore të kufizohen udhëtimet, të qëndrojnë larg çdo grumbullimi dhe të mbahen të informuar rregullisht për situatën”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme Franceze.

Junta në Niger tha të dielën se kishte informacione se “një fuqi e huaj” po përgatitej të sulmonte vendin, pas raportimeve se shefat ushtarakë nga ECOWAS kishin hartuar një plan të detajuar për përdorimin e forcës.

Më herët, Abdel-Fatau Musah, komisioneri i ECOWAS për çështjet politike, paqen dhe sigurinë, tha se ndërkohë që “të gjithë elementët” ishin përpunuar për një “ndërhyrje eventuale”, ky grup dëshiron që “diplomacia të funksionojë”.

Gjatë fundjavës, Senati i Nigerisë diskutoi situatën në Niger, pasi Presidenti Bola Tinubu i shkroi atij në lidhje me rezolutat e ECOWAS që vendosin sanksione dhe përdorimin e mundshëm të forcës ushtarake.

Mediat lokale raportojnë se ka pasur kundërshtim të fortë ndaj ndërhyrjes ushtarake, veçanërisht nga senatorët që përfaqësojnë shtetet pranë kufirit të gjatë që i ndajnë të dy vendet.

Presidenti Tinubu ka qenë veçanërisht i zëshëm duke kërkuar që ushtria e Nigerit të largohet nga pushteti dhe ka kërcënuar se do të përdorë forcën nëse nuk e bëjnë një gjë të tillë – mirëpo ai ka nevojë për miratim nga Asambleja Kombëtare për çdo ndërhyrje ushtarake të huaj.

Udhëheqësit e grushtit të shtetit duket se nuk po tregojnë asnjë shenjë vullneti për të hequr dorë nga pushteti dhe të dielën mijëra mbështetës të tyre u mblodhën në mënyrë sfiduese në një stadium në kryeqytetin Niamey.

Nigeri është një prodhues i rëndësishëm i uraniumit – një lëndë djegëse që është jetike për energjinë bërthamore – dhe presidenti Bazoum ishte një aleat kryesor perëndimor në luftën kundër militantëve islamikë në rajonin Sahel të Afrikës Perëndimore./BBC

Përgatiti: Nuhi Shala