Mbledhja e Kryesisë/ 14 mars 2022

Grupet parlamentare deklarohen për mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë

Kryetarja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila lidhur me mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë ka thënë se nuk kanë marrë ndonjë kërkesë nga Serbia për mbajtjen e tyre edhe në Kosovë.

“Deri në këto momente nuk kemi ndonjë kërkesë nga Serbia për mbajtje të zgjedhjeve. Ka kërkesë nga Serbia drejtuar institucioneve ndërkombëtare por në Kosovë jo, autoriteti sovran është Qeveria e Kosovës dhe institucionet e Kosovës”, ka deklaruar Kusari Lila.

Ajo tha se përgjigja e Kosovës tashmë është e konfirmuar dhe se ajo kërkesë bazuar në ligjet e aplikueshme të Kosovës dhe në praktikat evropiane do të shqyrtohet edhe ajo kërkesë dhe do të merret vendimi pro apo kundër mbajtjes së zgjedhjeve.

“Përgjigja e institucioneve të Kosovës tashmë e konfirmuar dhe në nivel të legjislativit është që vetëm në një pranim të kërkesës zyrtare nga shteti i Serbisë drejtuar shtetit të Kosovës me kërkesë bazuar në ligjet e aplikueshme të Kosovës dhe në praktikat evropiane do të shqyrtohet edhe ajo kërkesë dhe do të merret vendimi pro apo kundër mbajtës së zgjedhjeve”, ka thënë Kusari Lila.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu Kodra ka thënë se duhet një koordinim më i mirë i institucioneve të Kosovës që të ketë qartësi në lidhje me mbajtjen e këtyre zgjedhjeve.

“Na presin edhe pak ditë në afatin e përcaktuar për mbajtje të zgjedhjeve dhe një koordinim më i mirë i institucioneve të Republikës së Kosovës do të kishte qartësi në lidhje me mbajtjen e zgjedhjeve atje. Pres që të kemi një dinamikë më të shtuar dhe pres që të kemi një koordinim më të mirë të Qeverisë në raport me akterë të tjerë të opozitës dhe faktorë të tjerë”, ka deklaruar Deliu Kodra.

Për këtë çështje ka folur dhe deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Driton Selmanaj, i cili tha se me rezolutën e cila ishte prezantuar në Kuvendin e Kosovës i është dhënë mbështetje Qeverisë.

“Kur kemi pas një rezolutë në Kuvendin e Kosovës, i është dhënë mbështetje Qeverisë, është vlerësu që ka qenë një rezolutë thuajse e pa nevojshme sepse Qeveria e ka mandatin e vet kushtetues dhe atë duhet ta zbatojë. Nuk ka nevojë që të marrë mendime nga Kuvendi sepse rezoluta nuk e ka karakterin obligues është dokument i cili jep rekomandime dhe udhëzime”, tha Selmanaj.

“Qeveria në atë kohë duke mos qenë në konsultim të duhur me faktorët ndërkombëtar e futi edhe Kuvendin në lojë. Qeveria duhet të ketë kujdes që të ruajë raportin me ndërkombëtarët”, shtoi ai.

Ndërkaq, deputetja nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj ka thënë se është kompetencë e Qeverisë të merret me këtë temë dhe se duhet respektuar ligjet dhe Kushtetuta e Kosovës.

“Qeveria ka kompetenca që të merret me këtë temë. Duhet të respektohen ligjet e Kosovës, të respektohet Kushtetuta e Kosovës dhe konform ligjeve dhe Kushtetutës duhet të veprojë edhe Kosova. E kemi pasur një seancë të jashtëzakonshme lidhur me çështjen e mbajtjes së referendumit në Kosovë edhe atëherë Qeveria ka pasur kompetenca ta refuzojë mbajtjen e referendumit në Kosovë por ka kërkuar përkrahjen e deputetëve dhe Kuvendit e që ne ja kemi japur”, ka deklaruar Kadrijaj.

Kuvendi i Kosovës e kishte miratuar rezolutën e harmonizuar mes katër grupeve parlamentare (LVV, LDK, AAK, Grupit Multietnik) kundër mbajtjes së referendumit të Serbisë në Kosovë në janar të këtij viti.

Rezoluta u miratua me 76 vota për, asnjë kundër dhe 1 një abstenim.

Më poshtë i gjeni të plota pikat e rezolutës së harmonizuar:

  1. Kuvendi i Republikës së Kosovës, si përfaqësues i qytetarëve të Republikës së Kosovës, shprehë qëndrimin e përbashkët se organizimi i referendumit të Republikës së Serbisë në Republikën e Kosovës cënon sovranitetin dhe rendin Kushtetues të Republikës së Kosovës, si dhe është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ligjet e Kosovës, si dhe me normat dhe praktikat ndërkombëtare;
  2. Kuvendi i Republikës së Kosovës kërkon nga Qeveria dhe institucionet gjegjëse të Republikës së Kosovës që të ndërmarrin të gjitha veprimet brenda kompetencave të tyre për të mos lejuar cenimin e sovranitetit dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, nga mbajtja e referendumit të një shteti të huaj në territorin e Republikën së Kosovës;
  3. Kuvendi thekson përkushtimin e Republikës së Kosovës për të garantuar dhe mbrojtur të gjitha të drejtat e shtetasve të Republikës së Kosovës në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës;
  4. Në këtë frymë, Kuvendi i Republikës së Kosovës afirmon të drejtën e qytetarëve me dyshtetësi të Republikës së Kosovës, që të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në përputhje me standardet kushtetuese dhe praktikat ndërkombëtare. Në rastin konkret, të gjithë qytetarët e Kosovës që kanë edhe shtetësinë e Serbisë u garantohet e drejta që të votojnë nëpërmjet postës dhe Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë.
  5. Kuvendi thekson se hapja e qendrave të votimit të Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës, sikundër edhe përfshirja e grupacioneve apo strukturave ilegale në një organizim të tillë përbën shkelje të qartë të Kushtetutës dhe ligjet e Republikës së Kosovës, si dhe praktikave ndërkombëtare.
  6. Kuvendi i Republikës së Kosovës shprehë kundërshtim ndaj veprimeve të vazhdueshme të Serbisë për të instrumentalizuar dhe keqpërdorur qytetarët serb të Republikës së Kosovës, në shërbim të politikave të veta armiqësore kundër Republikës së Kosovës;
  7. Kuvendi i Republikës së Kosovës mirëpret qëndrimet e prera të bashkësisë ndërkombëtare për sundimin e ligjit në Kosovë dhe pret mbështetjen për të drejtat legjitime dhe qasjen parimore të Republikës së Kosovës, meqë vetëm duke trajtuar në mënyrë të barabartë të gjitha shtetet e rajonit mund të garantohet stabiliteti, demokracia dhe fryma euro-atlantike e rajonit tonë, gjithashtu kërkon nga Qeveria të vazhdojë bashkërendimin me partnerët strategjik të Kosovës në interes të ruajtjes së kushtetueshmërisë dhe sovranitetit shtetëror;
  8. Kuvendi i Republikës së Kosovës mbetet i përkushtuar për të dhënë kontributin e tij për mbrojtjen e sovranitetit dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës dhe të drejtave kushtetuese të të gjithë qytetarëve të saj, si dhe avancimin e demokracisë dhe agjendës euro-atlantike në rajonin tonë.