Grabitja në Suharekë, dy të dyshuarit dërgohen në Burgun e sigurisë së lartë në Dyz

Gjykata e Prizrenit ka caktuar një muaj paraburgim ndaj dy të dyshuarve për rastin e grabitjes në një argjendari në Suharekë.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar Marcel Lekaj, zëdhënës i Gjykatës së Prizrenit.

Në Gjykatën e Prizrenit sot është mbajtur seanca paraprake, gjatë të cilës prokurorja Ervehe Gashi ka kërkuar masën e paraburgimit për dy të dyshuarit.

Sipas Prokurorisë, Albin Beqiri dhe Fatmir Tahiri dyshohen për dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës penale të grabitjes.

KALLXO.com merr vesh se Albin Beqiri dhe Fatmir Tahiri janë dërguar në Burgun e sigurisë së lartë në Dyz.

Prokuroria e Prizrenit të dielën ka parashtruar kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy personave, Albin Beqiri dhe Fatmir Tahiri, të cilët dyshohen për dhënie të ndihmës personave që kanë kryer grabitjen e armatosur në Suharekë më 22 nëntor.

Një polic i Kosovës është plagosur dhe një tjetër është lënduar gjatë përballjes me katër persona të maskuar dhe të armatosur që dyshohet se kanë kryer grabitjen në një argjendari në Suharekë.

Vlera e arit të grabitur nga katër të dyshuarit llogaritet të jetë mbi 200 mijë euro.