Gjyqtari që e rrëzoi Qeverinë Hoti, largohet nga Gjykata Kushtetuese
Bekim Sejdiu, gjyqtari referues në rastin e rrëzimit të Qeverisë “Hoti”, ka dhënë dorëheqje nga pozita e gjyqtarit në Gjykatën Kushtetuese.
Lajmi për dorëheqjen e tij është bërë i ditur nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës përmes një njoftimi për media.
Sipas njoftimit të gjykatës arsyet e dorëheqjes së Sejdiut janë vazhdimi i karrierës së tij në Universitetin e Prishtinës si profesor.
Sejdiu ishte zgjedhur gjyqtar në gjykatën kushtetuese në vitin 2015.
Para se të ndante drejtësi, ai ka shërbyer si diplomat në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës. Sejdiu ishte ambasador i Kosovës në Republikën e Turqisë përgjatë viteve 2008-2012.
Përpos Turqisë ai ka shërbyer edhe si Konsull i Përgjithshëm në Nju-Jork në periudhën kohore 2012-2014.
Gjyqtari Sejdiu njihet si gjyqtari i cili shpesh nuk u pajtua me vendimet e kolegëve të tij gjyqtar.
Ai ishte kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese që shpalli si jo kushtetues vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë për shpalljen e Komunës së Prizrenit “zonë karantinë “.
Saktësisht Sejdiu nuk është pajtuar me konstatimin e Gjykatës Kushtetuese se Vendimi i Ministrisë së Shëndetësisë i 12 prillit 2020, për shpalljen e Komunës së Prizrenit “zonë karantinë” nuk është në përputhshmëri me Kushtetutën.
Sipas Gjyqtarit Sejdiu vendimi i gjykatës Kushtetuese nuk ishte shqyrtuar nga prizmi i detyrimeve të shtetit në raport me të drejtën për jetë të qytetarëve. Ai nuk është pajtuar as me qasjen të cilën e ka ndjekur gjykata në interpretimin e vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë në lidhje me nenet e ligjit për Parandalimin dhe Luftimin e Sëmundjeve Ngjitëse.
Gjyqtari Sejdiu, mendim mospajtues ka shprehur edhe në rastin e Valdete Dakës e cila i ishte drejtuar Gjykatës Kushtetuese për vlerësimin e vendimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës lidhur me emërimin e Enver Pecit si kryetar i Gjykatës Supreme.
Në këtë vendim Gjykata Kushtetuese e kishte cilësuar si kundërkushtetues procesin e përzgjedhjes së Enver Pecit si Kryetar i Gjykatës Supreme. Gjykata kishte konstatuar se me rastin e përzgjedhjes së Enver Pecit si kryetar ishte shkelur e drejta për gjykim te drejte dhe te paanshëm.
Me këtë vendim nuk ishin pajtuar gjyqtarët Bekim Sejdiu dhe Altay Suroy. Sipas tyre një kërkesë e tillë nuk do të duhej të trajtohej fare nga Gjykata Kushtetuese për shkak se sipas tyre parashtruesja e kërkesës nuk i kishte shtjerrë të gjitha mjetet juridike.
Sipas dy gjyqtarëve në fjalë, Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i votuar nga shumica e gjyqtarëve nuk ka arritur të argumentojë se KGJK-ja, me veprime arbitrare apo të padrejta, i ka cenuar parashtrueses të drejtat përkatëse kushtetuese, prandaj të njëjtit kishin qenë kundër këtij vendimi.
Mendim mospajtues Sejdiu kishte shprehur edhe në raport me vendimin e kolegëve të tij, në lidhje me vendimin për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
Gjykata Kushtetuese në dhjetor të vitit 2015 kishte konstatuar se elementet kryesore të marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe nuk kanë qenë në përputhje me frymën e Kushtetutës.
Gjykata ndonëse kishte konstatuar se parimet e përgjithshme nuk janë tërësisht në përputhshmëri me frymën e Kushtetueses dhe me të drejtat e komuniteteve në Kushtetutën e Kosovës, kishte dhënë aprovimin për të vazhduar me themelimin e Asociacionit.
Sipas gjyqtarit Sejdiu, vendimi i kolegëve të tij nuk e parandalon vazhdimin e kundër-kushtetutshmërisë së parimeve të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe Kushtetutës së Kosovës.
Në këtë rast, sipas Sejdiut, për zbatimin e plotë të parimeve kundërkushtetuese të Asociacionit ose do të duhej të ndryshohej Kushtetuta ose do të duhej të riformuloheshin parimet e Asociacionit.