Ligji për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil dërgohet në Kushtetuese edhe nga LDK-ja

Lidhja Demokratike e Kosovës e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese, Ligjin për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

Kështu ka njoftuar shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi i cili ka thënë se ky ligj është në shkelje kushtetuese në disa nga shtyllat e tij kryesore.

“Ky ligj është në shkelje kushtetuese në disa nga shtyllat e tij kryesore. Drejtësia kushtetuese është shtylla e garantimit të sistemit demokratik, dhe kjo thirrje për një vlerësim të thelluar është hapi i parë drejt sigurisë së mëtejshme të demokracisë sonë. Ne duhet të ruajmë integritetin e Kushtetutës dhe të ndërtojmë një shoqëri më të drejtë dhe transparente”- ka shkruar Gashi në Facebook.

Një veprim të tillë e ka ndërmarrë sot edhe Partia Demokratike e Kosovës, e cila e ka dorëzuar sot kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

Koordinatori për Drejtësi në Kabinetin për Qeverisje të Mirë të PDK-së, Përparim Gruda, ka thënë se kjo parti e ka kontestuar shkarkimin e anëtarëve të këtij këshilli, ku Gjykata Kushtetuese i ka dhënë të drejtë dhe ka përcaktuar disa aspekte shumë të rëndësishme të funksionimit të statusit kushtetues të këtij institucioni.

Sipas Grudës, ky ligj, i miratuar javën e kaluar, i shkelë edhe ato përcaktime që ka bërë Gjykata.

Në anën tjetër, avokati Faton Fetahu ka thënë se janë të paktën katër shkelje të këtij ligji të cilat PDK i ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese dhe të cilat pret të rrëzohen aty.

PDK dorëzon në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës