Dalin rezultatet për gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese, i pari Vigan Qorrolli

Vigan Qorrolli është kandidati më i poentuar për gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese.

KALLXO.com e ka siguruar fletën e poentimit të të gjithë anëtarëve të komisionit në të cilën Qorrolli ka marrë 9.32 pikë nga 10 të mundshmet. I dyti në garën e kandidatëve për gjyqtar në Kushtetuese është profesori i Fakultetit Juridik, Visar Morina, ndërsa i treti është poentuar ish-Avokati i Popullit, Hilmi Jashari.

Qorrolli ka marrë pikë maksimale nga deputetët Adnan Rrustemi, Mimoza Kusari, Igor Simiq, Besnik Tahiri dhe Erxhan Galushi. Më të njëjtat pikë është poentuar edhe nga anëtarët e panelit intervistues Bajram Latifi dhe Aleksander Rapajiq.

Ndërsa pikë maksimale ka marrë edhe profesori Visar Morina. Ai është poentuar me 10 pikë nga Driton Selmanaj, Besnik Tahiri, Bajram Latifi dhe Aleksander Rapajiq.

Përveç Qorrollit, Morinës dhe Jasharit për pozitën e gjyqtarit në Gjykatën Kushtetuese kanë konkurruar edhe Hava Bujupi Ismajli, Shukri Sylejmani, Gjylbehare Murati, Hashim Çollaku, Valbona Shala Thaçi, Haxhi Xhemajli, Zef Prenrecaj dhe Ramadan Gashi.

Në prill të këtij viti Kuvendi i Kosovës shpalli konkursin për emërimin e një gjyqtari në Gjykatën Kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese përbëhet prej 9 gjyqtarëve të cilët emërohen një herë dhe nuk kanë të drejtë të rizgjidhen. Mandati i tyre është 9-vjeçar.

Kuvendi hap thirrjen për nominimin e një gjyqtari për Gjykatën Kushtetuese