Foto: KALLXO.com

Gjykimi për krime lufte ndaj Çaslav Joliq, dështon seanca

Seanca e gjykimit ndaj Çaslav Joliq, i akuzuar nga Prokuroria Speciale për krime lufte ndaj popullatës civile, ka dështuar të mbahet për shkak të mungesës së avokatit Miodrag Brklajq.

Të enjten më datë 22.02.2024 në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës ishte e paraparë që gjykimi të vazhdojë me dëgjimin e dëshmitarit Fadil Mavra, mirëpo nuk u plotësuan kushtet ligjore për një gjë të tillë.

Trupi gjykues bëri të ditur se shkak i mungesës së avokati Brklajq janë arsyet shëndetësore.

Prokurori i rastit Ilir Morina i rikujtoi të akuzuarit të drejtën e tij për të angazhuar më shumë se një avokat mbrojtës. Ndërkaq i akuzuari deklaroi se për sa kohë nuk zgjatet procedura, nuk do të angazhojë avokat tjetër.

Ky rast por trajtohet në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës para trupit gjykues në përbërje prej kryetarit Musa Konxheli dhe anëtarëve Lutfi Shala e Mentor Bajraktari.

Seancat e radhës lidhur me këtë rast u caktuan më datë 07.03.2024 dhe 19.04.2024.

Sipas dosjes së siguruar nga KALLXO.com, në vitin 1998, në lagjen “Bllagaq” të fshatit Gurakoc, ishte rrëzuar një helikopter i forcave policore dhe ushtarake serbe dhe për këtë arsye i dëmtuari Z. M. po i shoqëronte për tek vendi i ngjarjes dy gazetarë, njëri anglez e tjetri belg, së bashku me një përkthyese shqiptare.

Sipas dosjes së Prokurorisë me të arritur tek vendi i ngjarjes nga shtëpia e Rosa Pejoçinoviq dalin pesë persona të veshur me uniforma të policisë serbe, Radule (Dule) Pejoçinoviq, Çaslav Joliq, Darko Pejoçinoviq, Millosh Joliq dhe një person tjetër i pa identifikuar.

Në dosje theksohet se të njëjtit akuzojnë të dëmtuarin Z. M. se pse i kishte sjellë gazetarët në vendin e ngjarjes.

Pas këtyre akuzave të lartcekurit sipas Prokurorisë e sulmojnë fizikisht dhe dy prej policëve e kapin për krahu dhe në prezencë të gazetarëve kishin filluar ta godisnin me grushte dhe shqelma për një periudhë prej 20 minutave deri sa në një moment personi me nofkën (Dule) e kishte goditur me boks në kokë të dëmtuarin më ç’rast Z. M. kishte humbur vetëdijen dhe ishte rrëzuar në tokë duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Sipas dosjes së prokurorisë, më 15.03.1998, derisa i dëmtuari tjetër N. F. po pinte kafe në restorantin “Shija” në Gurakoc, i shoqëruar nga disa persona, në lokal kishin shkuar 5 policë serbë dhe duke e kapur për qafe e kishin tërhequr zvarrë jashtë lokalit, pastaj të gjithë fillojnë ta sulmojnë fizikisht duke e goditur në pjesë të ndryshme të trupit.

Sipas aktakuzës, polici me emrin Rade Pituliq e kishte goditur me tytë të automatikut disa herë në kokë duke ia mbuluar tërë trupin me gjak, dhe duke e tërhequr zvarrë e kishin dërguar në stacion të policisë në Gurakoc.

Tutje në dosje thuhet se duke e dërguar në stacion të dëmtuarin e njoftojnë se do ta ekzekutojnë. Ndërsa më datën 28 mars të po të njëjtit vit të dëmtuarin e kishin detyruar që ta lëshojë shtëpinë si çdo banor tjetër i fshatit.

Raportimet e KALLXO lidhur me këtë rast – LINK