I akuzuari për krime lufte Dushko Arsiq - FOTO, Aulona Alaj - KALLXO.com - 06.06.2023

Dëshmitari alivanoset gjatë rrëfimit në gjykimin ndaj të akuzuarit për krime lufte, Dushko Arsiq

Dushko Arsiq, ish-polici serb i dyshuar për krime lufte, u ul sërish në bankën e të akuzuarit për t`u përballur me akuzat e ngritura nga Prokuroria Speciale për ngjarjet e vitit 1999.

Në seancën e së martës, përpara trupit gjykues u dëgjuan katër prej dëshmitarëve të propozuar nga Prokuroria, të cilët rrëfyen përjetimet e tyre të luftës së fundit në lidhje me akuzat që i vihen në barrë të akuzuarit Arsiq.

Ndër ta, ishte edhe dëshmitari Sylë Imeri i cili për ngjarjet në fjalë, paraprakisht kishte dhënë deklaratë edhe në kanalin amerikan “CNN”.

Në dëshminë e tij, ai dha deklarata të forta rreth Arsiq, të cilin e kishte njohur për një kohë shumë të gjatë e me të cilin ishte përballur disa herë gjatë luftës, ngjarje të cilat i ndau para trupit gjykues.

I njëjti rrëfeu para gjykatës për vrasjen dhe djegien e anëtarëve të familjes së tij në fshatin Zllatar dhe si ia kishin marrë të birin e mitur nga kolona dhe e kishin burgosur.

Ai përmendi edhe vrasjen e djalit të axhës së tij, procedurë e cila sipas dëshmitarit ndodhet në hetime.

Ndërsa për të gjithë këto ngjarje, Imeri e drejton gishtin kah i akuzuari Arsiq.

“Unë e njoh si një kriminel shumë të fortë dhe është kriminel sepse prindërit na i ka vra”, tha dëshmitari.

Në pyetjen e prokurorit Special, Atdhe Dema, se kush i kishte kryer krimet për të cilat ai kishte dhënë deklaratë paraprakisht, Imeri u shpreh:  “Forcat paramilitare serbe në krye me këtë zotëriun këtu”.

Ai po ashtu rrëfeu për vrasjen e anëtarëve të familjes së tij në fshatin Zllatar më 21 prill të vitit 1999.

“… na kanë sulmu, na kanë djegë tërë pasurinë që e kemi pasur, babën ma kanë vra, kufomat e tyre kanë qenë të tkurrura, i kam mbledhë me duart e mija për secilin veç e veç dhe i kam futur në qese të plastikës’’.

Avokati mbrojtës i të akuzuarit, iu drejtua dëshmitarit me pyetjen se pse nuk e kishte raportuar këtë rast që më shumë se 20 vite.

“Unë siç e theksova e kam lajmëruar rastin menjëherë, në vitin 1999 ku për këtë çështje është dëshmitare edhe prokurorja Carla de Ponte”, ishte përgjigja e Imerit.

Tutje, dëshmitari në mes lotësh deklaroi rreth pretendimeve të tij se Dushko Arsiq ia kishte vrarë djalin e axhës në qershorin e 1999 në Matiqan.

“Do të i vije rendi që do të ballafaqohemi përsëri në këtë gjykatë me juve”, ju drejtua ai Arsiqit.

“E ka goditur me plumb prapa kokës… e di se ky e ka vra djalin e axhës tim sepse jam 100% i sigurt që prej shtëpisë së Dushkos, katit të dytë është gjuajtur ai. Gjuajtja ka qenë precize, nuk ka qenë amatore”.

Kryetari i trupit gjykues, Vesel Ismaili në fund të rrëfimit e pyeti dëshmitarin “A je i sigurt se në këto raste që i keni përmend ka qenë pjesëmarrës Dushko?”.

Imeri iu përgjigj se ishte shumë i sigurt.

Prapa foltores së dëshmive e gjeti veten edhe dëshmitari G. K., i ati i të dëmtuarit Artan Krasniqi.

I njëjti rrëfeu se si në fund të prillit të vitit 1999 ka qenë në një shtëpi në fshatin Butovc, në momentin kur djali i tij Artan Krasniqi kishte ardhur i rrahur nga forcat paramilitare serbe.

“Kur ka hy brenda djali im i gjakosur kam menduar se jam në ëndërr, e kemi marrë dhe e kemi pyetur se çka ka ndodhë, djali ka qenë i mitur e nuk ka ditë serbisht, por më ka thënë se e kanë rrahur… më ka thënë se kanë qenë Dragqe, Boban dhe Dushko Arsiq”.

Ndërsa për të akuzuarin shtoi se gjithmonë e ka parë të armatosur.

“Gjithmonë ka qenë me armë automatike dhe gjysmë – automatike, edhe kur kanë shku me pre dru në mal edhe para lufte edhe pas lufte ka shku me armatime, e kam parë me sytë e mi”.

I njëjti gjatë rrëfimit është alivanosur dhe nuk ka mundur të përfundojë dëshminë, pasi që u largua nga salla me ambulancë ku u shoqërua nga djali i tij – i dëmtuari Artan Krasniqi.

Tutje, dëshmoi edhe A. M. rrëfimi i të cilit kishte të bënte me vrasjen e B. Sh. për të cilën akuzohet Arsiq.

“Unë edhe babai kemi shku në mal dhe duke pre dru kemi pa rroba të njerëzve, jemi afru dhe e kemi parë që është trup i njeriut. E kemi mbledhë, kanë qenë vetëm eshtrat, i kemi tubuar dhe kemi shku tek shtëpia, e kemi marrë një thes i kemi fut dhe pastaj babai ka lajmëruar policinë”, tha A. M.

I njëjti shtoi se ngjarja kishte ndodhur pas lufte, në vitin 2000.

Në lidhje me rastin e lartcekur rrëfimin e tij e dha edhe dëshmitari R. Sh., i cili është vëllai i të vrarit B. Sh.

Ai rrëfeu se një javë pas varrimit të vëllait të tij të vrarë, Artan Krasniqi kishte shkuar në shtëpinë e tyre ku ishte përlotur në momentin kur kishte parë fotografinë e B. Sh. në murin e shtëpisë.

Sipas aktakuzës, i dëmtuari Krasniqi i cili atëkohë ishte i moshës 15 vjeçare,  pasi ishte rrahur nga forcat serbe, është detyruar që të mbajë në shpinë tani të ndjerin B. Sh. deri në mal.

“Si ka hyrë në derën e dhomës më ka thënë ‘qita m’kanë shti me e bajt paramilitarët serb në shpinë që më kanë thënë merre qoje në mal’”.

“Na ka tregu Artani se si e kanë maltretuar Artanin paramilitarët, na ka tregu komplet ngjarjen se çka ka vuajtur i shkreti”, u shpreh R. Sh. në pyetjen e prokurorit rreth njohjes mes tij dhe Artan Krasniqit.

I njëjti u shpreh se i kishte mbetur në mendje emri Dushko, të cilin e kishte dëgjuar prej të dëmtuarit Krasniqi.

“Kur e kanë hequr maskën paramilitarët tha (Artani), ai e hoqi maskën dhe në atë moment e njofta”, kështu e citoi dëshmitari të dëmtuarin Krasniqi.

Ai shtoi se i dëmtuari Krasniqi i kishte treguar që ditën kritike forcat paramilitare serbe e kanë rrahur të ndjerin B. Sh. dhe se i njëjti kishte tentuar të ikte por ushtria serbe kishin gjuajtur rafal në drejtim të tij.

Sipas rrëfimit të dëshmitarit, Krasniqi e kishte mbajtur në shpinë vëllanë e tij deri në mal, dhe kur kanë arritur në mal e ka vërejtur se ka qenë ende gjallë dhe i kishte thënë “Për rize të Zotit mos më le vetëm”.

Kufoma e tij kishte qëndruar në atë vend për diku 15 – 16 muaj mbi tokë deri sa ishte gjetur nga dëshmitari A. M.

Në fund të rrëfimit të tij, dëshmitari R. Sh. Tha: “Ishalla kryerësi e merr dënimin e merituar, sepse vëllai im ka qenë civil i pafajshëm”.

Sipas aktakuzës së siguruar nga KALLXO.com Dushko Arsiq së bashku me pjesëtarë të tjerë të Policisë Serbe dhe grupe paramilitare, në periudhën e luftës më saktësisht në muajt janar-qershor 1999 ka marrë pjesë në dëbimin dhe shpërnguljen me dhunë të qytetarëve të Prishtinës.

Tutje sipas Prokurorisë të njëjtit kanë filluar të bëjnë plaçkitjen e shtëpive, e më pastaj të njëjtave jua kanë vënë zjarrin me qëllim të dëmtimit të tyre e po ashtu ka marrë pjesë në keqtrajtimin e shqiptarëve ku disa prej tyre i kanë plagosur e disa prej tyre i kanë vrarë, thuhet në aktakuzë.

“I akuzuari ka marrë pjesë në ekzekutimin e viktimave, tani të ndjerit B. Sh., ashtu që më 20.02.1999 në fshatin Butovc, derisa viktima ka qenë duke ecur të njëjtin e kanë gjuajtur me arme automatike dhe pasi që e kanë goditur, e kanë urdhëruar të dëmtuarin A. K. që në atë kohë ishte vetëm 15 vjeçar që trupin e B. Sh. ta mbaj në shpinë”- thuhet tutje në aktakuzë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Dushko Arsiq në po të njëjtën datë dhe vendin e njëjtë fillimisht e ka ndalur të dëmtuarin A. K. që ishte 15-vjeçar, i akuzuari së bashku me ushtarët serb dhe paramilitarët urdhërojnë të dëmtuarin që të heq çantën që e ka pasur në shpinë e më pastaj i akuzuari i del prapa shpine dhe e godet të dëmtuarin me tytë të automatikut në pjesën e poshtme të shpinës.

“Pas goditjes nga i akuzuari, i dëmtuari bie në tokë, pastaj të njëjtit fillojnë ta maltretojnë, torturojnë dhe keqtrajtojnë fizikisht e psiqikisht. Pastaj i dëmtuari vëren dy persona tjerë të nacionalitetit serb të cilët i njeh, Dragan Niçiq dhe Boban (mbiemri nuk i kujtohet), e ku i dëmtuari i pyet që të dy ‘Pse bre kojshi kjo kështu’, Bobani përgjigjet ‘Komsho bre komshija, gde je Amerika’ (Kujt bre fqinj, ku është Amerika, çfarë fqinji)”.

Sipas aktakuzës, me këto veprime i njëjti ka kryer veprën penale krime lufte kundër popullatës civile.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar në LINK https://kallxo.com/tag/dushko-arsiq/