Seanca gjyqësore ndaj Sadri Nerjovaj - FOTO: Fjolla Bici - KALLXO.com

Gjykata vendos ndaj kosovarit që pranoi fajësinë se luftoi në Siri

Sadri Nerjovaj është dënuar me 3 vite e 6 muaj burgim nga Gjykata e Prishtinës, pasi ka pranuar fajësinë se ka luftuar përkrah grupit terrorist ISIS në Siri. Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Lutfi Shala.

Në seancën e 16 shkurtit, i akuzuari Nerjovaj ka pranuar fajësinë për pjesëmarrje në luftërat e ISIS-it.

Sipas aktgjykimit, në dënimin me burgim Nerjovajt do t`i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

Në aktakuzën e siguruar nga KALLXO.com, thuhet se Nerjovaj në vitin 2014 së bashku me bashkëshorten e tij V. I., kishin lëshuar territorin e Republikës së Kosovës me qëllim që t`i bashkëngjiten organizatës terroriste ISIS në Siri.

Sipas dosjes së Prokurorisë Nerjovaj ishte pajisur me dokument të përkohshëm identifikimi ku ka vijuar edhe ushtrimet fizike, taktike dhe luftarake.

Dosja tutje sqaron se i njëjti ka deklaruar se ushtrimet ushtarake duke përfshirë edhe gjuajtjen me armë zjarri i ka bërë si pasojë e kërcënimeve nga pjesëtarët e ISIS-it, se do t’ia marrin gruan si robëreshë dhe këtë do ta vrasin.

Gjithashtu, Nerjovaj ka deklaruar se ishte financuar nga ISIS për shumën prej 170 dollarë në muaj për vete, bashkëshorten dhe dy fëmijët e tij.

Pas pjesëmarrjes në luftërat e ISIS-it, Nerjovaj ishte dorëzuar tek Forcat Demokratike Siriane deri më 17 shkurt 2021, me të cilin rast edhe është riatdhesuar në Kosovë.