Gjykata Speciale mori vendime rreth garantimit të procesit publik në çështjen ndaj ish-eprorëve të UÇK-së

Gjykata Speciale në Hagë lëshoi sot një urdhër thelbësor për rregullimin e procedurave gjyqësore dhe garantimin e hapësirës publike në çështjen gjyqësore që po zhvillohet ndaj ish-eprorëve të UÇK-së Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, të cilët po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Urdhri ishte drejt sigurimit të një procesi gjyqësor të hapur me të cilin u urdhëruan palët të rishikojnë transkriptet e seancave private dhe të mbyllura brenda afateve të përcaktuara.

Gjykatësi Charles Smith III, në cilësinë e kryetarit të trupit gjykues, në përgjithësi theksoi se në rastin e çdo kërkese për redaktim të informacionit, palët detyrohen të identifikojnë plotësisht dëshmitarët e mbrojtur dhe informacionin e konsideruar konfidencial.

Për këtë, sipas gjykatësit Smith, kërkesa duhet të mbajnë parasysh nevojën për të siguruar kryerjen e procesit në seanca publike sa më shumë që të jetë e mundur, por edhe mbrojtjen efektive të personave për të cilët janë miratuar masa mbrojtëse.

Trupi gjykues gjithashtu paraqiti edhe një masë shtesë, e cila do të forcojë zbatimin e parimit të procesit publik.

Palët sipas Gjykatës do të dorëzojnë versione të redaktuara publike të parashtrimeve në të njëjtën kohë me versionet konfidenciale, përveç në rast se ka arsye bindëse për të kundërtën.

Dëshmitari Gjergj Dedaj, i ftuar nga Prokuroria, gjatë seancës së djeshme dhe të sotme është ankuar pse seanca është hapur. Ai disa herë kërkoi që seanca të mbyllej për publikun.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, dhe Jakup Krasniqi po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Më 10 maj 2022, gjatë paraqitjeve të tyre, të katër të akuzuarit u vetëdeklaruan të pafajshëm lidhur me akuzat e reja në aktakuzën e ndryshuar.

Më 15 dhjetor gjykatësi i procedurës paraprake ia kaloi dosjen e çështjes trupit gjykues II. Konferenca përgatitore për gjykim u mbajt më 18 janar 2023, pasuar nga Konferenca Përgatitore e Prokurorit të Specializuar më 15 shkurt.

Gjykimi filloi më 3 prill 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023.

Në këtë çështje janë 143 viktima pjesëmarrëse.

Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.