Gjykata aprovon një kërkesë të Prokurorisë ndaj tre të dyshuarve për sulmin ndaj Valon Sylës

 

Tre të dyshuarve për sulm ndaj gazetarit Valon Syla, Okan e Kenan Hasani dhe Lum Dervishit, u është vazhduar masa e arrestit shtëpiak nga Gjykata e Prishtinës.

Të njëjtit dyshohen se sulmuan Valon Sylën për çështje fetare, të njëjtit po hetohen nga Prokuroria për veprën penale të nxitjes së përçarjes dhe urrejtjes.

Vazhdimi i masës së arrestit shtëpiak për dy muaj (deri më 12.09.2023) është bërë pas kërkesës së Prokurorisë Speciale, të cilën kërkesë e aprovoi gjykata.

Lajmin për Kallxo.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës së Prishtinës, Mirlindë Gashi.

“Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për vazhdimin e masës së arrestit shtëpiak kundër të pandehurve K. H. , O.K. dhe L. D. Masa e arrestit shtëpiak u është vazhduar në kohëzgjatje prej dy muaj, prej datës 12.07.2023 deri më datë 12.09.2023” – ka konfirmuar Gashi.

Kjo masë e arrestit shtëpiak ishte caktuar më 12 maj të këtij viti, duke e zëvendësuar masën paraprake atë të paraburgimit.

Të njëjtëve në prill u ishte caktuar masa e paraburgimit nga e njëjta gjykatë në seancë paraprake, në Departamentin Special të kësaj gjykate.

Tre të dyshuarit sipas dosjes së prokurorisë, më 11 prill rreth orës 23:00 në kishin sulmuar Valon Syla në afërsi të një lokali në lagjen “Bregu i Diellit”.

Syla kishte marrë trajtim mjekësor për shkak të lëndimeve trupore të cilat iu shkaktuan.

Në dosje përmendet edhe fakti se deri te sulmi pretendohet se erdhi disa prej postimeve të gazetarit Syla ndaj një çështjeje fetare.

Prokuroria pretendon se në bazë të hetimeve të cilat i kanë kryer edhe hetuesit e Drejtorisë Kundër Terrorizmit, të dyshuarit e kanë përcjellë Sylën nga Televizioni T7 ku ishte i ftuar e deri te lokali ku më pas edhe është sulmuar.

Prokurori special i rastit Afrim Shefkiu ka konsideruar se veprimet e të dyshuarve janë bërë me motive dhe ideologji ekstreme fetare.

Të tre të rinjtë janë arrestuar rreth 24 orë pasi dyshohet se kanë kryer veprën penale.

Fillimisht rasti ishte cilësuar si lëndim i lehtë trupor ndërsa vepra është ri kualifikuar në nxitje të urrejtjes dhe përçarjes pas motiveve të cilat të dyshuarit pretendohen se kanë pasur.

Pas arrestimit të njëjtit janë intervistuar në prani të avokatëve të cilët ishin përcaktuar në bazë të detyrës zyrtare.

Ata kishin pranuar veprën penale në prani të hetuesve policorë.

Të gjitha raportimet lidhur me këtë rast mund t’i ndiqni në këtë LINK.