Arrest shtëpiak për tre të dyshuarit për sulmin ndaj gazetarit Valon Syla

Departamenti Special i Gjykatës së Prishtinës ka vendosur që tre të dyshuarve për sulmin ndaj gazetarit Valon Syla, masën e paraburgimit t’ua zëvendësojë me arrest shtëpiak në kohëzgjatje prej 2 muajsh.

Vendimin e gjykatës, e ka konfirmuar për KALLXO.com, zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Mirlinda Gashi.

Të dyshuarit Lum Dervishi, Kenan Hasani dhe Okan Hasani, sipas prokurorisë për të njëjtit, ekziston dyshimi i bazuar se kanë kryer veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mos durimit’, paraparë me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

Gashi tutje theksoi se Gjykata u’a ka bërë të ditur të pandehurve se në rast se ata nuk e respektojnë këtë masë sigurie atëherë, konform Kodit të Procedurës Penale, do të riaplikohet për ta masa më e rëndë, paraburgimi.

Gashi gjithashtu siguroi se Gjykata e ka detyruar Policinë e Kosovës ta mbikëqyrë zbatimin e kësaj mase nga ana e të dyshuarve. dhe njoftimin e gjyqtarit kompetent për shkeljet eventuale.

Sipas njoftimit, të pakënaqurit me këtë vendim mund t’i drejtohen Apelit.

Drejtori i Gazeta Metro dhe gazetari, Valon Syla ishte sulmuar më 11 prill në lagjen ‘Bregu i Diellit’ në Prishtinë.