Gjykata refuzoi aktakuzën e ngritur 17 vite më parë për grupin që akuzoheshin se kishin hyrë në sisteme kompjuterike

Gjykata e Prishtinës ka refuzuar aktakuzën e ngritur 17 vite më parë e cila ngarkonte tetë persona për përfitimin e mbi 200 mijë eurove përmes falsifikimit të çeqeve dhe hyrjes në sisteme kompjuterike të njohur si ‘grupi i hakerëve’.

Është refuzuar akuza ndaj të akuzuarve Driton Konushevci, Valton Isufi, Shkumbin Kadriu, Valdrin Gërbeshi, Burim Murati, Sadullah Behluli dhe Mimoza Beqiri, për veprat penale të krimit të organizuar dhe hyrjes në sisteme kompjuterike pasi sipas gjykatës në veprimet e të akuzuarve nuk është vërtetuar se kanë kryer këto vepra penale.

“Pasi që nuk është vërtetuar se të njëjtit kanë kry, nuk ekziston vepra, në veprimet e të akuzuarve nuk është vërtetuar se kanë kry veprën penale të krimit të organizuar”- tha në shpalljen e së martës (23.04.2024) kryetarja e trupit gjykues, Fatime Dermaku.

Për veprën penale të falsifikimit të çeqeve ka arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale kurse për veprën penale të pastrimit të parave gjykata i liroi në mungesë të provave.

E akuzuar në këtë rast është edhe Klodiana Raka për ndihmë në krim të organizuar. Gjykata konstatoi se Prokuroria nuk ka arritur të vërtetojë që e njëjta ka kryer veprën në fjalë.

Mbi të akuzuarin Driton Konushevci rëndon edhe akuza për posedim të substancave narkotike e që për këtë vepër gjykata mori aktgjykim refuzues për shkak se është arritur parashkrimi.

Valton Isufi gjithashtu akuzohet edhe për një vepër, atë të armëmbajtjes pa leje, vepër e cila, sipas gjykatës, është përfshirë në amnisti.

Ky rast trajtohet në Departamentin e Krimeve të Rënda nga trupi gjykues i kryesuar nga Fatime Dermaku dhe me anëtarët Ertan Sejfulla dhe Naser Foniqi. Ndërkaq aktakuza po përfaqësohet nga prokurorja speciale Merita Bina- Rugova.

Sipas dosjes së Prokurorisë, të akuzuarit që nga viti 2005 kanë përfituar dobi pasurore rreth 200 mijë euro përmes falsifikimit të kartelave bankare.

Kjo siç përshkruan Prokuroria në aktakuzë të akuzuarit e kanë bërë përmes kyçjes në sisteme kompjuterike.

Në aktakuzë theksohet se të akuzuarit më pas kishin tërhequr shuma të ndryshme të parave nga xhirollogaritë e personave nga mbarë bota, në emër të bankave ‘Reiffesien’ dhe ‘ProCredit.’

Këto veprime të pandehurit i kanë ndërmarrë në bashkëpunim me disa “hakerë” të cilët akoma mbeten të panjohur për Prokurorinë.

Të njëjtit siç pretendohet në aktakuzë i kanë pajisur të akuzuarit Driton Konushevci dhe Valton Isufi me pin-kodin e 10,000 xhirollogarive bankare të personave të huaj, me të cilët të akuzuarit kishin arritur të kyçeshin në llogaritë bankare prej të cilave kanë bërë tërheqjet e parave.

Shënim: Artikulli është edituar më 24.04.2024, ora 11:23, duke iu ndërruar viti i ngritjes së aktakuzës.