Ministria e Shëndetësisë. Foto: Arjana Berisha, KALLXO.com

Gjykata obligon Ministrinë e Shëndetësisë t’i paguajë mbi 274 mijë euro kompanisë që ia anuloi tenderin

Ministria e Shëndetësisë është e obliguar që t’i paguajë dëmshpërblim mbi 274 mijë euro një operatori ekonomik, sipas vendimit të shkallës së parë të Gjykatës Komerciale.

Kompania farmaceutike “Redoni H M” Sh.P.K. kishte paditur Ministrinë e Shëndetësisë për shkak se ajo kishte anuluar një tender për furnizim me citostatikë në vitin 2018, në të cilin kjo kompani ishte zgjedhur si kompania fituese.

Anulimin e tenderit, Ministria e Shëndetësisë e kishte bërë për shkak se çmimi i ofertuar nga operatori ekonomik ka qenë më i lartë se çmimi i tregut, kjo bazuar në konstatimet e raporteve të Agjencisë së Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM) dhe Inspektoratit Farmaceutik.

Ky vendim për anulim të tenderit ishte vërtetuar edhe nga organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP).

Prandaj, paditësi kishte ushtruar padi edhe ndaj këtij organi. Gjykata Komerciale ka vendosur për anulimin e vendimit të OShP-së.

Gjykata Komerciale ka konstatuar se përderisa çmimi i ofruar nga operatori ekonomik ka qenë nën vlerën e parashikuar të kontratës, nuk ka gjetur bazë ligjore për anulimin e këtij tenderi.

“Pra, paditësi në këtë aktivitet të prokurimit ka ofertuar me çmim prej 648,000.00€, ndërsa vlera e parashikuar e kontratës ka qenë 1,196.266.00€, andaj nuk gjeti bazë për anulimin e aktivitetit të prokurimit pasi që është publikuar njoftimi për dhënie të kontratës dhe i njëjti njoftim është bërë i plotfuqishëm” – thuhet në aktgjykim.

Kompania kishte ofertuar me 24 euro për tabletën e llojit “Imatinib mesylate 400mg”. Për 27 mijë tableta, çmimi total i lotit të tenderit ishte 648 mijë euro.

AKPPM dhe Inspektorati Farmaceutik në hulumtimin e bërë në tregun e Kosovës kishin hasur çmime në vlerë nga 4.83 euro deri në 32 euro për një tabletë dhe se ky produkt në atë kohë kanë ekzistuar vetëm 30 tableta të këtij produkti nga një importues tjetër.

Lidhur me këtë, Gjykata ka vlerësuar se MSh si autoriteti kontraktues është dashur që hulumtimin për çmimin e tregut ta bënte para publikimit të njoftimit për kontratë dhe caktimit të vlerës së kontratës.

“Së dyti statistikat për çmimet në treg të produktit “Imatinib Mesylate” është dashur t’i marrë nga Agjencia e Statistikave të Kosovës sipas udhëzimit të KRPP dhe; së treti, hulumtimi që është bërë lidhur me çmimet në treg, përkundër që është konstatuar se të njëjtat nuk gjenden në treg, kanë konstatuar çmimin që janë shitur më parë nga operatorët tjerë, por që nuk plotësojnë kushtin e çmimit të produktit në treg pasi që nuk vazhdojnë të jenë prezent në treg” – thuhet në aktgjykimin e Komerciales.

Ministria e Shëndetësisë në përgjigjen e saj në padi ka thënë se ajo nuk ka asnjë obligim ndaj paditësit pasi që nuk kanë të lidhur marrëveshje kontraktuale dhe në këtë rast nuk janë krijuar të drejta dhe detyrime mes tyre.

Ndërkaq, Organi Shqyrtues i Prokurimit në përgjigjen e saj në padi, mes tjerash ka thënë se kontrata nuk ka qenë e nënshkruar nga Ministri i Shëndetësisë, prandaj nuk është e zbatueshme.

Ajo ka shtuar se OShP ka kompetenca ta shfuqizojë plotësisht apo pjesërisht kontratat publike në rastet kur nënshkrimet apo zbatimet e këtyre kontratave janë të dëmshme për interesin publik, prandaj sipas OShP-së, nënshkrimi i kësaj kontrate do të kishte pasoja në fondet publike.

Duke qenë njoftimi për dhënie të kontratës ka qenë i plotfuqishëm, paditësi ka pasur pritje legjitime për nënshkrimin e kontratës dhe rrjedhimisht të realizojë fitim, andaj Gjykata ka vlerësuar se kjo kompani duhet të kompensohet për shkak të fitimit të humbur.

Vlera totale e dëmit material është konstatuar nga eksperti financiar. Kjo vlerë ka edhe një kamatë ligjore prej 8% nga dita e marrjes së këtij aktgjykimit e deri në përmbushjen përfundimtare.