Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Gjykata Kushtetuese: Shkarkimi i bordit të RTK-së më 2021 ishte pa bazë ligjore

Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se Kuvendi i Kosovës ka vepruar pa bazë ligjore dhe ka tejkaluar kompetencat kur ka shkarkuar bordin e Radiotelevizionit te Kosovës (RTK) më 8 korrik 2021.

Sipas Kushtetueses, Kuvendi me këtë vendim ka cenuar pavarësinë e transmetuesit publik, roli i të cilit thotë se është thelbësor për lirinë dhe pluralizmin e mediave në një shoqëri demokratike.

“Kuvendi ka vepruar pa bazë ligjore në kontekst të shkarkimit të Bordit në tërësinë e tij, si pasojë e refuzimit të raportit përkatës vjetor dhe rrjedhimisht, në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për RTK-në” – thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Megjithatë, vendimi i marrë nga Kushtetuesja nuk ka efekt prapaveprues dhe nuk afekton të drejtat e fituara të palëve të treta.

Ky vendim i Kushtetueses është marrë me 5 vota për dhe dy kundër, ndërsa Gjykata ka vendosur njëzëri që të refuzojë kërkesën për masë të përkohshme lidhur me efektet e vendimit të kontestuar.

Kërkesa për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit për shkarkimin e bordit të RTK-së është parashtruar në Gjykatë nga dhjetë deputetë të Kuvendit.

Më tej, Gjykata ka sqaruar se këtij shkarkimi i kishte paraprirë shqyrtimi i raportit vjetor të RTK-së për vitin 2020 në Komisionin për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal dhe në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere.

Ky Komision pas shqyrtimit i kishte rekomanduar Kuvendit që të refuzojë miratimin e raportit në fjalë dhe mbi bazën e “paaftësisë profesionale” të shkarkojë të gjithë anëtarët e bordit të RTK-së.

Kuvendi, në të njëjtën seancë, kishte refuzuar miratimin e raportit vjetor të RTK-së dhe kishte shkarkuar të gjithë anëtarët e bordit të RTK-së.

Ky bord përbëhej nga Sali Bashota, Agron Gashi, Lirim Geci, Ilir Bytyçi, Albinot Maloku, Bajram Mjeku, Petrit Musolli dhe Fadil Miftari.

Kërkesa për vlerësimin e kushtetueshmërisë së këtij vendimi në Kushtetuese është dërguar nga 10 deputetë.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, pati reaguar pas marrjes së këtij vendimi duke thënë se ata që votuan për këtë shkarkim kanë bërë shkeljen më të madhe procedurale dhe ligjore.

Haxhiu kiwhte thënë se të saposhkarkuarit “do të adresohen në rrugë ligjore”.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, pati thënë se “të gjithë ata që mendojnë se procedura ka pasur shkelje apo parregullsi, i kanë të gjitha instrumentet ligjore në dorë që t’i ndjekin, përfshirë këtu edhe ata që mendojnë se janë shkarkuar padrejtësisht si anëtar të bordit të Radiotelevizionit të Kosovës”.