Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kuvendi shkarkoi 8 anëtarët e Bordit të RTK-së, PDK thotë se u bënë shkelje ligjore e procedurale

Kuvendi i Kosovës ka miratuar rekomandimin e Komisionit funksional për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal për shkarkimin e anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës.

Kuvendi ka votuar për shkarkimin e tetë anëtarëve të Bordit të RTK-së veç e veç dhe ka shkarkuar Sali Bashotën, Agron Gashin, Lirim Gecin, Ilir Bytyçin, Albinot Malokun, Bajram Mjekun, Petrit Musollin dhe Fadil Miftarin.

Pas përmbylljes së këtij procesi, ka reaguar deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu.

“Ju dhe deputetët që votuat tani, sapo bëtë shkeljen më të madhe procedurale dhe ligjore. Asnjë arsyetim për asnjërin nga anëtarët e Bordit që vendosët t’i shkarkoni një nga një, nuk ka qenë pikë e rendit të ditës, as nuk ka pas arsyetim për asnjërin prej këtyre anëtarëve që i shkarkuat. Propozimi ishte për shkarkimin e Bordit të RTK-së dhe jo për shkarkimin individual me arsyetimet e veçanta”, tha Haxhiu duke shtuar se kjo  është shkelje procedurale dhe shkelje ligjore.

Haxhiu tha se të sapo shkarkuarit do të adresohen në rrugë ligjore.

E kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha se “të gjithë ata që mendojnë se procedura ka pas shkelje apo parregullësi, i kanë të gjitha instrumentet ligjore në dorë që t’i ndjekin përfshirë këtu edhe ata që mendojnë se janë shkarkuar padrejtësisht si anëtar të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës”.