Gjykata Kushtetuese, seanca publike mbi vendimin e parlamentit per shkarkimin e Presidentit Iir Meta - Foto: VOA

Gjykata Kushtetuese rrëzon kërkesën e Parlamentit: Ilir Meta nuk shkarkohet

Në Shqipëri, Gjykata Kushtetuese njoftoi të mëkurën në mbrëmje, pak para mesnatës, se ka rrëzuar kërkesën e parlamentit për shkarkimin e presidentit Ilir Meta, pasi në vlerësimin e saj nuk ka patur “shkelje të rënda të kushtetutës”, për të cilat kreu i shtetit mund të largohej nga detyra.

Në njoftimin e Gjykatës, shpjegohet se “pasi verifikoi procedurën e ndjekur nga Kuvendi për ngritjen e komisionit hetimor, garantimin e së drejtës së Presidentit për t`u dëgjuar dhe për t`u mbrojtur dhe duke mbajtur në konsideratë pavarësinë organizative të Kuvendit, në tërësi konstatoi se nuk ka pasur shkelje kushtetuese gjatë kësaj procedure”.

Gjatë procesit, këshilltarët ligjorë të Kreut të Shtetit e mbështetën në mënyrë të veçantë mbrojtjen e tyre, pikërisht te shkeljet e rënda që sipas tyre ishin kryer nga parlamenti që nga moment i shqyrtimit të kërkesës së deputetëve që vunë në lëvizje parlamentin deri në marrjen e vendimit.

Nga ana tjetër, shkeljet e pretenduara nga përfaqësuesit e shumicës socialiste, për Gjykatën Kushtetuese nuk mund të konsiderohen si shkelje të rënda të Kushtetutës.

“Faktet e paraqitura si shkelje të nenit 86, pika 1, dhe nenit 89 të Kushtetutës, nuk përbëjnë shkelje të rënda të Kushtetutës. Nuk ka shkelje të rëndë të nenit 88, pika 3, të Kushtetutës, pasi: Faktet që lidhen me të drejtat në procesin zgjedhor nuk përbëjnë shkelje të rënda të Kushtetutës; Faktet që lidhen me marrëdhëniet me partnerët strategjikë nuk përbëjnë shkelje të Kushtetutës; Faktet e paraqitura si shkelje që lidhen me pavarësinë e organeve publike nuk përbëjnë shkelje të Kushtetutës dhe faktet e paraqitura si shkelje të rendit dhe sigurisë publike nuk përbëjnë shkelje të Kushtetutës”.

Po ashtu, sipas Gjykatës “faktet e paraqitura si shkelje të nenit 94 të Kushtetutës nuk përbëjnë shkelje të Kushtetutës”.

Për këto arsye, Gjykata Kushtetuese bëri të ditur se vendosi “shfuqizimin e vendimit nr. 55/2021, datë 09.06.2021 të Kuvendit të Shqipërisë “Për shkarkimin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë për shkelje të rënda të Kushtetutës”. VoA