Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Gjykata ka shpallur aktgjykimin për ndarjen e pasurisë së ish-bashkëshortëve N.A. dhe B.A.

Me këtë aktgjykim paditëses N.A., i është aprovuar pjesërisht padia dhe kërkesëpadia, ashtu që është vërtetuar se në emër të pasurisë së përbashkët është pronare me gjysmën e pjesës ideale, e lokalit prej 32.40 metra katrorë, i cili gjendet te “Kroi i Bardhë”. Gjithashtu dhe e tërë pasuria e shprehur në shumë të përgjithshme, prej 99,860.00 euro, në bazë të kontributit në martesë, në pjesë të barabartë, e të vlerësuar në përqindje prej 50:50 për të dy ish-bashkëshortët.

Ndërsa sipas këtij aktgjykimi, i padituri B.A. është obliguar nga Gjykata që të pranojë dhe lejojë patundshmërinë e cekur më lartë, që të regjistrohet në gjysmën e pjesës ideale në emër të paditëses si bashkëpronare, në Zyrën Kadastrale të Komunës së Prishtinës.

Po ashtu ceket se, i njëjti është obliguar që, në emër të kontributit për punët e amvisërisë për periudhën nga data 1 qershor 1996 deri më 31 dhjetor 2007, t’ia kompensojë paditëses shumën prej 20,700.00 eurove.

“Me kamatë në lartësi prej 8%, nga dita e shqyrtimit kryesor të mbajtur më 22 janar 2021, e deri në pagesën definitive, të gjitha këto në afat prej 15 ditëve pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit, e nën kërcënim të përmbarimit të dhunshëm”, ceket në aktgjykim.

Kurse paditëses i është refuzuar si e pabazuar, pjesa e kërkesëpadisë, me të cilën ka kërkuar që të vërtetohet se ajo nga baza e rrjedhjes së martesës dhe kontributit në martesë, në emër të pasurisë së përbashkët, është pronare me gjysmën e pjesës ideale të patundshmërive, në zonën kadastrale në fshatin Matiqan prej 420 metrave katrorë dhe tjetra parcelë me 448 metra katrorë, si dhe lokaleve në lagjen Kalabria, njëri me 25 metra katrorë e tjetri 28 metra katrorë dhe paluajtshmëria në zonën kadastrale Prishtinë prej 517 metrave katrorë.

Në kërkesëpadinë e bërë nga paditësja N.A., për to shkruhej: “Të detyrohet Komuna e Prishtinës dhe Çagllavica, që palujtshmëritë e cekura si më lartë t’i regjistrojë në emër të paditëses si pronare në pjesën ideale me nga 50% si dhe i padituri t’i dorëzojë në shfrytëzim dhe posedim të pa penguar”.

Ndërsa sa i përket banesës prej 64 metra katrorë, e cila gjendet në Shëngjin, më këtë aktgjykim Gjykata është shpallur jokompetente në pikëpamje territoriale, për procedimin e kësaj çështjeje lidhur me këtë paluajtshmëri.

Refuzimi i kërkesëpadisë së paditëses, thuhet se është bërë pasi sipas Gjykatës në shkresat e lëndës, nuk janë prezentuar prova se paditësja ka kontribuar gjatë bashkësisë martesore në krijimin e pasurive.

“Gjykata për pjesën e refuzuar të kërkesëpadisë së paditëses ka vendos si në dispozitiv IV të këtij aktgjykimi, meqenëse nga shkresat e lëndës nuk janë prezantuar prova se paditësja ka kontribuar gjatë bashkësisë martesore në krijimin e pasurive si në këtë dispozitiv, ashtu është vlerësuar dhe nga ekspertiza e ekspertit financiar Riza Blakaj, në ekspertizën e datës 12 dhjetor 2017, e po ashtu dhe në ekspertizën e re të ekspertes financiare Gresa Shabani, të punuar me datë 24 tetor 2019”, thuhet në aktgjykim.

Sipas këtij aktgjykimi, nga provat e administruara, Gjykata ka vërtetuar faktin jokontestues se më datë 1 korrik 2016, palët ndërgjyqës kishin zgjidhur martesën e tyre, nga e cila kishin fëmijët e përbashkët vajzën F.A e moshës 20 vjeçe dhe djali G.A i moshës 19 vjeç.

Më tej në aktgjykim thuhet se, ekspertja ka ardhur në përfundim se pasuria e përbashkët e shprehur në vlerë monetare e krijuar nga ana e të dy bashkëshortëve gjatë periudhës së bashkësisë martesore prej 20 vitesh, në total arrin vlerën prej 552,127.50 euro, prej ku kontributi i paditëses në përqindje përfshin, 244,331.50 euro apo 44.25% dhe kontributi i të paditurit 307,796.00 apo 55.75%.

Pastaj ceket se, në bazë të ekspertizës rrjedh se pasuria e vetme e përbashkët e krijuar nga të dy bashkëshortët dhe me kontributin e tyre është blerja e lokalit afarist te “Kroi i Bardhë” në Prishtinë, banesa në Shëngjin, veturat të cilat janë në pronësi dhe shfrytëzim të palëve ndërgjyqëse dhe fëmijëve të tyre.

Tutje në këtë akgjykim thuhet se, sipas propozimit të palës paditëse në seancën e datës 21 dhjetor 2020, ekspertja aktuale-financiare Gresa Shabani, ka përllogaritur dhe kontributin e paditëses gjatë bashkësisë martesore, në emër të përkujdesjes për punët e shtëpisë dhe rreth shtëpisë, për ruajtjen e ekonomisë shtëpiake dhe mbarëvajtjen e shpenzimeve esenciale të familjes, pritjen dhe respektimin e familjes së bashkëshortit në cilësinë e bashkëshortes.

Më këtë thuhet se ekspertja, ka konstatuar se paditëses i takon kontributi i dhënë ndër vite në bashkësinë martesore, nga muaji qershor i vitit 1996 e deri në shkëputjen e martesës më 2016 dhe atë në periudhën deri sa paditësja ka qenë e pa punë, e që ka qëndruar në shtëpi nga viti 1996 deri më 2002, përkatësisht deri në vitin 2008.

Këtë ekspertizë financiare, Gjykata e mori në tërësi të bazuar dhe ia fali besimin, ngase sipas Gjykatës e njëjta përmban elementet e nevojshme të dhëna mbi bazën e njohurive profesionale dhe arsye të mjaftueshme të cilat, Gjykata i vlerësoi si të drejta për vërtetimin e fakteve vendimtare në këtë çështje kontestimore.

Po ashtu Gjykata ka arsyetuar se, palët ndërgjyqëse nuk kanë propozuar që të bëhet një ekspertizë e re, pasi sipas Gjykatës kjo ekspertizë është plotësuar disa herë, pas vërejtjeve të bëra nga palët.

Me këtë aktgjykim, Gjykata ka arsyetuar aprovimin e pjesërishëm të kërkesë-padisë, si të bazuar të paditëses, me arsyetimin se në mes palëve ishte “pjesërisht kontestuese” ndarja e pasurisë së përbashkët të fituar gjatë martesës, duke shtuar se paditësja nuk ka shprehur gatishmëri që të pranojë ofertat e të paditurit të bëra, përmes deklarimeve në seancë dhe parashtresave.

Po ashtu ceket se, ekspertja ka vlerësuar kontributin e secilit bashkëshort, duke vlerësuar të gjitha rrethanat e rastit, si ndihma e bashkëshortëve ndaj njëri tjetrit, udhëheqja në punët e shtëpisë, mirëmbajtja e familjes ose çdo forme tjetër e punës dhe bashkëpunimit në ruajtjen e rritjen e kësaj pasurie, rritjen e kujdesin e fëmijëve, e në anën tjetër dhe kontributin financiar të bashkëshortit, të dhënë me punën e tij prej mjeku.

E me këtë vlerësim thuhet se, kontributi i bashkëshortëve në këto raste do duhej të konsiderohet në shkallë të barabartë 50:50, kontribut i cili thuhet se nuk u kundërshtua nga i padituri, i cili kishte kërkuar që Gjykata të aprovojë kërkesë-padinë e paditëses. Në këtë rast Gjykata ka arsyetuar këtë, duke cekur se “pjesëtimi i pasurisë së përbashkët të bashkëshortëve në këtë mënyrë që është parim themelor i Ligjit për Familjen, që asnjërit nga bashkëshortët nuk mundet që në mënyrë arbitrare t’i privohet pasuria e tij, parim ky i garantuar me Kushtetutën e Kosovës dhe Konventa Ndërkombëtare (neni 52 i LFK)”.

Më këtë aktgjykim, është obliguar Drejtoria për pronë dhe Kadastër të Komunës së Prishtinës, që pasuria e bashkëshortëve të regjistrohet në regjistrin publik të pasurive si pasuri e përbashkët në pjesë të papërcaktuara, në harmoni me Ligjin për Familjen të Kosovës.

Paditësja N.A. ka kundërshtuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore, dukë bërë ankesë në Gjykatën e Apelit.

Më këtë ankesë, paditësja ka kundërshtuar në tërësi aktgjykimin e Gjykatës së Prishtinës, me të cilin pjesërisht është aprovuar kërkesë-padia e paditëses, të përshkruar më gjerësisht si në dispozitivin e aktgykimit të atakuar.

Paditësja pretendon se me këtë aktgjykim, janë shkelur dispozita të procedurës kontestimore, është konstatuar gabimisht dhe në mënyrë jo të plotë gjendja faktike si dhe është zbatuar në mënyrë të gabuar e drejta materiale.

Me pretendimin e paditëses për shkelje esenciale të dispozitave të procedurës kontestimore, thuhet se aktgjykimi ka të meta për shkak të cilave nuk mund të ekzaminohet, sidomos dispozitivi i aktgjykimit është i pakuptueshëm dhe kontradiktor me vetveten dhe arsyet e dhëna në aktgjykim.

“Arsyetimi është i paqartë, i papërcaktuar dhe si i tillë i papërshtatshëm edhe për ekzekutim”, thuhet në ankesë.

Këto shkelje thuhen se janë bërë sepse Gjykata gabimisht ua ka njohur të drejtën në proporcion ½ të palëve, përkitazi me pronën e evidentuar tek “Kroi i Bardhë” që gjendet në Prishtinë, “për faktin se ky objekt i kontestit fare nuk është pjesë përbërëse e kërkesë-padisë së paditësit dhe nuk korrespondon me shkresat e lëndës”.

E për pasojë thuhet se ka rezultuar me cenimin e dispozitës së nenit 2 të LPK, i cili thotë se “Në procedurë kontestimore Gjykata vendosë brenda kufijve të kërkesave që janë parashtruar nga palët ndërgjyqëse”, gjë që në rastin konkret thuhet se fare nuk ka qenë objekt kontesti i cili është gjykuar arbitrarisht pa ndonjë arsye të bazuar në dispozita ligjore.

Tutje thuhet se pas plotësimit të ekspertizës financiare më datë 1 shtator 2020, nga pyetjet e parashtruara nga i padituri, është sqaruar dhe konsumuar dyshimi sa i përket lokalit tek “Kroi i Bardhë”, me ç’rast i padituri nuk ka kundërshtuar të drejtën e paditëses sa i përket këtij lokali.

Po ashtu paditësja pretendon se është i papranueshëm një vlerësim arbitrar i Gjykatës me rastin e vendosjes për ndarje të një pasurie, që përveç se nuk është objekt kontesti, kjo pasuri është e veçantë e paditëses, pasi paditësja ka kontribuar në blerjen e lokalit tek “Kroi i bardhë” me të hollat e trashëguara nga prindërit dhe vëllai i saj.

Sipas ankesës, Gjykata i ka njohur një të drejtë të paidturit në dëm të paditëses, e që me ekspertizën e ekspertes financiare dhe sqarimeve të dhëna në seancë, argumentohet fakti se s’ka asnjë dëshmi që e gjithë pasuria e cila është objekt kontesti, në pjesën refuzuese të aktgjykimit se është trashëguar nga paraardhësi i të paditurit dhe se Gjykata nuk ka arsyetuar se cilat janë provat që vërtetojnë se i padituri ka trashëguar ndonjë pasuri të paluajtshme nga prindërit e tij.

Më tej ceket se, i padituri asnjëherë nuk ka pohuar se ka trashëguar ndonjë pasuri të paluajtshme nga prindërit.

“Mirëpo Gjykata duke tentuar që t’i shmanget vërtetimit të gjendjes faktike, tenton që të zbatojë standarde të dyfishta, duke u thirrur në nenin 7.1 dhe nenit 319 të LPK, duke afektuar paditësen në njërën anë, ndërsa në anën tjetër duke favorizuar të paditurin”, ceket në ankesë.

Tutje sipas ankesës, në bazë të pasqyreve të llogarisë bankare të paditëses nga data 1 janar 2003 deri më 11 korrik 2006, rezulton se paditësja ka marrë kredi mbi 200,000.00 euro që e ka përmbushur në tërësi pa vonesë. Ndërsa ceket se në bazë të transaksioneve të bëra në llogarinë bankare, vërtetohet se në shkollimin e fëmijëve ka kontribuar vetëm paditësja me shumë prej 24,000.00 euro, provë kjo që gjendet në shkresat e lëndës.

Në bazë të ankesës, si pasuri e veçantë përmendet kontributi i paditëses në shumë prej 65,300.00 euro të dhënë për babain e të paditurit për blerjen e patundshmërisë sipas kontratës së datës 26 shkurt 2010, gjë që thuhet se vërtetohet në bazë të transferit të  datës 1 mars 2010, të lëshuar nga paditësja në emër të babait të paditurit. E që sipas ankesës, kjo nuk duhet të llogaritet pasuri e trashëguar nga i padituri si pasuri e veçantë, por kjo është kontribut i veçantë i paditëses, që babai i të paditurit pastaj e ka transferuar këtë në emër të një shitësi.

“Këto prona si të veçanta janë tjetërsuar (shitur) nga paditësja, janë investuar në pasurinë e përbashkët bashkëshortore që është objekt i këtij kontesti”, ceket në ankesë.

Tutje ceket se, në aktgjykimin e Gjykatës së shkallës së parë, fokusi ka qenë në ndarjen e pasurisë dhe tek fëmijët, për më shumë paditësja ka theksuar se në këtë fazë nuk është duke u shqyrtuar trashëgimia në mes të fëmijëve dhe ish-bashkëshortëve, ngase kjo do bëhet në të ardhmen, qoftë me testament apo me ndonjë akt tjetër të shqyrtimit të trashëgimisë.

Sipas kësaj ankese përmendet dhe ekspertiza e Riza Blakajt, e cilësuar si e mangët jo vetëm nga paditësja por dhe nga ana e Gjykatës së Apelit, që sipas objektit të padisë në masën e sigurimit është cilësuar si e kundërligjshme dhe e pabazuar, ndërsa Gjykata me aktgjykimin e saj thuhet se vendosi t’i falë besimin një ekspertize të konsumuar të datës 24 tetor 2019, plotësimeve dhe sqarimeve të dhëna nga Gresa Shabani, ndaj së cilës ishte parashtruar vërejtje nga i padituri, pasi që tashmë ishte argumentuar me prova materiale kontributi i paditëses në pasurinë e përbashkët të krijuar gjatë martesës.

Gjithashtu në ankesë ceket dhe kontributi i dhënë i paditëses për punët e amvisërisë, gjatë kohës kur ka qenë e pa punë është llogaritur në aktgjykim ndërsa kontributi për punët e amvisërisë gjatë kohës kur ka punuar nuk është cekur fare në këtë aktgjykim.

Po ashtu ceket se me aktgjykimin e atakuar, Gjykata fare nuk i është referuar kontributit të paditëses nga ushtrimi i veprimtarisë afariste në krijimin e pasurisë së përbashkët, ku kjo vërtetohet në bazë të pasqyrave të llogarisë bankare të paditëses ku figuron se, nga data 1 janar 2003 deri më datën 11 korrik 2016 ajo ka marrë kredi prej 200,000.00 euro.

Me këtë ankesë, i autorizuari i paditëses ka kërkuar që të nxirret aktgjykim, me të cilin kanë kërkuar që  të aprovohet padia dhe kërkesë padia e paditëses N.A., të vërtetohet se paditësja në emër të pasurisë së përbashkët nga martesa dhe kontributi i saj është pronare me gjysmën e pjesës ideale të paluajtshmërive të evidentuara.

Po ashtu ai, ka kërkuar që të detyrohet i padituri B.A., që paditëses t’ia paguajnë dhe shpenzimet e procedurës në emër të përpilimit të padisë, shumën prej 104.00 euro, në emër të shpenzimeve për përpilimin e ekspertizës financiare prej 150.00 euro, në emër të plotësimit të ekspertizës financiare prej 100 euro, në emër të taksës gjyqësore për padi shumën prej 30.00 euro si dhe në emër të përfaqësimit të avokatit Fatlum Podvorica, për dy seanca nga 422,50 euro.

Kujtojmë se në seancat e mbajtura për këtë çështje civile, është dëgjuar dhe ekspertja e angazhuar e cila pati thënë se “mbi pasurinë e bashkëshortëve është ndarë proporcioni individual i secilit dhe në blerjet që janë bërë gjatë bashkësisë martesore”.

Ndërsa në seancën e fundit i padituri pati dorëzuar, një deklaratë ku sipas tij, ai hiqte dorë në tërësi nga pjesa e tij e pasurisë së përbashkët, me qëllim të zgjidhjes së kësaj çështjeje kontestimore. Mirëpo kjo deklaratë nuk është pranuar nga pala paditëse, e që sipas të autorizuarit të paditëses “kjo është në disproporcion të thellë në mes të pasurisë së krijuar gjatë bashkësisë martesore”.

Gjithnjë sipas padisë, paditësja ka pranuar pasuri të veçantë trashëgimi nga babai i saj në shumën prej 60 mijë marka gjermane (rreth 30 mijë euro në valutën e sotme), të cilat i ka investuar në blerjen e një lokali në Prishtinë konkretisht në rrugën “Kroi i Bardhë”. Ky lokal sipas aktpadisë është blerë në shumën prej 105,300.00 marka gjermane, nga të cilat 60,000.00 marka janë investuar nga pasuria e trashëguar nga babai i paditëses.

Tutje sipas padisë, N.A. e ka shitur një banesë të saj në Prizren, në rrugën “William Walker”, gjatë vitit 2012, në shumën prej 40,000 euro. Mjetet nga shitja e kësaj banese, sipas padisë, janë investuar nga paditësja për blerjen e një banese në Shëngjin të Shqipërisë në sipërfaqe prej 64 metra katrorë.

Barazia në pronë, Ndarja e pasurisë, Gjykata

Prek fundin gjykimi për ndarjen e pasurisë në mes të ish-bashkëshortëve