Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Vazhdon gjykimi për ndarjen e pasurisë në mes të ish-bashkëshortëve

Është mbajtur në Prishtinë seanca për ndarjen e pasurisë së ish-bashkëshortëve, N.A dhe B.A.

Në seancën e sotme është dëgjuar dhe ekspertja Gresa Shabani lidhur me këtë çështje.

Ajo tha se në ekspertizën e datës 24.10.2019 ka konstatuar të gjitha shkresat e lëndës të listuara në ekspertizë dhe për llogaritje të mëtutjeshme i ka marrë në konsideratë shkresat ose pasuritë apo investimet, kontratat të cilat kanë qenë bindëse për llogaritjen e kontributit përkatësisht pasurisë së përbashkët.

Ekspertja Shabani poashtu shtoi se, mbi pasurinë e bashkëshortëve është ndarë proporcioni individual i secilit dhe në blerjet që janë bërë gjatë bashkësisë martesore.

“Nga kontributi i bashkëshortëve mbi këto pasuri është ndarë proporcioni individual i secilit dhe në blerjet që janë bërë gjatë bashkësisë martesore gjithnjë bindëse për llogaritjen e pasurisë së përbashkët është marrë blerja e banesës në Shëngjin dhe një lokal afarist te “Kroi i Bardhë”, që sipas vlerësimit material arrin vlerën 99.860 euro, dhe nga ky total është zbatuar proporcioni i kontributit 44.25 % përkatësisht 55.75 % për të paditurin”, tha ekspertja Shabani.

“Të gjitha pasuritë për opinionin tim janë objekt i shqyrtimit trashëgimor, që tutje të merren parasysh në objektin kryesor të ndarjes së pasurisë”, tha ajo.

Sipas padisë, paditësja N.A dhe i padituri B.A, kanë lidhur martesë në vitin 1996, në Prishtinë. Nga ajo martesë kanë edhe dy fëmijë te moshës madhore. Mirëpo prej vitit 2016 rrethanat në mes bashkëshortëve kanë ndryshuar, duke e bërë jetën mes tyre të pamundur për çka dhe kanë  paraqitur propozim në Gjykatën e Prishtinës për shkurorëzim.

I autorizuari i paditëses, avokati Faik Sylejmani deklaroi se paditësja ka qenë pjesërisht e angazhuar me punë dhe  kontributi në punët e amvisërisë në bazë të ligjit për familjen e Kosovës duhet të merret parasysh.

Palēt propozuan dhe njëherë plotēsimin e ekspertizēs sa i përket, kontributit të paditëses për punët e amvisērisē.

Gjithnjë sipas padisë, paditësja ka pranuar pasuri të veçantë trashëgimi nga babai i saj në shumën prej 60 mijë marka gjermane (rreth 30 mijë euro në valutën e sotme) të cilat i ka investuar në blerjen e një lokali në Prishtinë konkretisht në rrugën “Kroi i Bardhë”. Ky lokal sipas aktpadisë është blerë në shumën prej 105.300 marka gjermane, nga të cilat 60.000 marka janë investuar nga pasuria e trashëguar nga babai i paditëses.

Tutje sipas padisë, N.A e ka shitur një banesë te saj në Prizren, në rrugën “William Walker”, gjatë vitit 2012, në shumën prej 40.000 euro. Mjetet nga shitja e kësaj banese, sipas padisë, janë investuar nga paditësja për blerjen e një banese në Shëngjin të Shqipërisë në sipërfaqe prej 64 metra katrorë.

Tutje padia shpjegon se si paditësja dhe i padituri gjatë jetës se tyre bashkëshortore afërsisht 20 vjeçare kane realizuar të hyra të përbashkëta kryesisht në blerjen e parcelave, banesave, bizneseve etj. Gjithashtu padia specifikon se si ish-bashkëshortët kanë investuar edhe në dy lokale të tjera që gjenden në Prishtinë njëri në sipërfaqe prej 28 metra katrorë, kurse tjetri prej 25 metra katrorë e që sipas paditëses edhe kjo pasuri është krijuar në kohën kur bashkëshortët kanë kontribuar bashkërisht në krijimin e pasurisë familjare.

Seanca e radhës do të mbahet me datën 22 janar 2021.