Gjykata Evropiane mbështet gazetaren e REL-it për mbrojtjen e të dhënave telefonike

Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut ka vendosur në favor të gazetares të Shërbimit Ukrainas të Radios Evropa e Lirë, e cila ka kundërshtuar që t’ia dorëzojë autoriteteve të dhënat e telefonit të saj. Lidhur me këtë çështje, Gjykata Evropiane tha kjo është thelbësore për mbrojtjen e lirisë së shtypit dhe privatësisë në një shoqëri demokratike.

Gazetarja Natalia Sedletska, që ka fituar çmime për punën e saj hulumtuese në programin televiziv Schemes, qe tri vjet është përballur me procedura ligjore për të mbrojtur të dhënat e saj të telefonit nga konfiskimi nga prokurorët ukrainas.

Gjykata Evropiane tha se Sedletska duhet të mbrohet sipas Nenit 10 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore dhe gjykata theksoi se është e rëndësishme mbrojtja e burimeve në mënyrë që të funksionojë shtypi i lirë.

“Gjykata nuk është e bindur që autorizimi për qasjen në të dhënat, që është dhënë nga gjykatat vendore, ishte e justifikueshme nga ‘kërkesa për interesin publik’”, thuhet në vendimin e gjykatës.

Sedletska i ishte drejtuar Gjykatës Evropiane, pasi më 2018, një gjykatë ukrainase dha vendim për qasje në të dhënat për 17 muaj të telefonit të saj të mençur.

Programi televiziv Schemes ka bërë hulumtime ku përfshihen shumë zyrtarë të lartë ukrainas, përfshirë edhe Prokurorin e Përgjithshëm, Yuriy Lutsenko. Pikërisht, këto hulumtime që janë publikuar përkojnë edhe me kohën kur prokurorët ukrainas kanë kërkuar që të merren të dhënat nga telefoni i gazetares.

Radio Evropa e Lirë ka mirëpritur këtë vendim të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

“REL-i mirëpret këtë vendim që mbron konfidencialitetin e komunikimeve të gazetarëve tanë dhe vendosë kufizime për pushtetin ekzekutiv”, tha presidenti i REL-it, Jamie Fly.

“Puna e gazetarëve hulumtues, për nga natyra është e rëndë dhe shpesh e rrezikshme. Shëndeti i demokracisë mund të matet nga mbrojtjet që ofron për këtë lloj gazetarie, që fuqizon publikun dhe mban përgjegjës autoritetet për veprimet e tyre”, shtoi Fly.

Prokurorët ukrainas kanë thënë se kanë kërkuar të kenë qasje në të dhënat e Sedletskas në lidhje me një hetim kriminal që po zhvillojnë, lidhur me publikimin e pretenduar të sekreteve shtetërore ndaj gazetarëve më 2017 nga Artem Sytynyk, drejtor i Byrosë Kombëtare kundër korrupsionit të Ukrainës. REL