Marko GJuriq - Foto: REL/AP

Gjuriq reagon ashpër ndaj marrëveshjes për energji Kosovë - Shqipëri

Shefi i Zyrës për Kosovë në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka deklaruar se në vend të “historisë” për Shqipërinë e madhe energjetike e cila kurrë nuk do të ekzistojë, Prishtina duhet t’i kthehet përmbushjes së obligimeve që ka marrë dhe ta formojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, marrëveshje e cila ai tha se është nënshkruar para 2.415 ditëve.

“Kjo është joproduktive në teren, dhe duhet të ndalohet nga bashkësia ndërkombëtare para se të prodhojë pasoja për energjinë rajonale, por edhe do të ndikojë në stabilitetin politik, dhe vulos perspektivat për dialogun”, tha Gjuriq në një deklaratë të shkruar.

Gjuriq ka theksuar se “Serbia është pronar dhe ndërtuesi i rrjeteve energjetike në Kosovë” dhe për këtë ai tha se Serbia “ka prova të bollshme”.

“Me përfshirjen e  EMS dhe EPS, dhe të institucioneve tjera përgjegjëse, në vitet e kaluara është parandaluar anëtarësimi i një operatori nga Prishtina i cili ilegalisht përdor një pjesë të rrjetit tonë në Kosovë në ENTSOE, dhe deklarimet për krijimin e një Shqipërie të madhe energjetike, zbulojnë fytyrën e vërtetë shoviniste të politikës së Prishtinës” tha Gjuriq.

Dje në Tiranë, në selinë qendrore të Operatori i Sistemit të Transmetimit – OST u nënshkrua marrëveshja në mes të Kosovës dhe Shqipërisë për energjinë elektrike.

Kjo marrëveshje është vlerësuar historike sepse Kosova del nga operatori rregullues i Serbisë.

“Ne si KOSTT, qe kemi qenë brenda Zonës Rregulluese të Operatorit Transmetues të Serbisë (EMS), brenda Bllokut Rregullues SMM (Serbi, Maqedoni e Veriut, Mali i Zi), me nënshkrimin e kësaj marrëveshje me OST (Operatorin e Sistemit te Transmetimit të Energjisë Elektrike, Tirane) dhe që pritet të implementohet në Prill 2020, definitivisht shkëputemi nga ombrella e Zonës Rregulluese serbe (EMS), dhe futemi ne Bllokun Rregullues me OST (Shqipëri)”, thuhet në komunikatë.

Po ashtu, në komunikatë thuhet që paraprakisht, për të njëjtën marrëveshje, në dijeni të ENTSO-E, KOSTT ka marrë pëlqimet edhe nga Rregullatorët Nacionale të Energjisë: Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë (ZRRE) dhe Enti Rregullativ i Energjisë në Shqipëri (ERE).

Sipas komunikatës së KOSTT, Kosova me këtë marrëveshje të Bllokut Rregullues AK, definon dimensionimi e përbashkët të kapaciteteve të rezervave të energjisë elektrike brenda Bllokut AK (Shqipëri-Kosovë), ku sipas kalkulimeve të dakorduara, kursimi do të jetë përafërsisht 4 milionë euro në vit.