Gjimnazi ‘Hivzi Sylejmani’ në Fushë-Kosovë ndërpret grevë, nga e hëna nis mësimin

Këshilli i Arsimtarëve në Gjimnazin “Hivzi Sulejmani” në Fushë-Kosovë sot ka vendosur që të hënën më 19 shtator të fillojë procesi mësimor i rregullt, duke ndërprerë kështu grevën.

“Me qëllimin e vetëm për të mirën e nxënësve, mësimdhënësve, prindërve, rrethit shoqëror dhe shtetit të Kosovës”, vendosi që nga data 19.09.2022 (e hënë) në Gjimnazin ‘Hivzi Sulejmani’, në Fushë – Kosovë të filloj procesi i rregullt mësimor për vitin shkollor 2022/23”- thuhet në njoftimin e shkollës të bërë përmes rrjetit social Facebook.

Greva në arsim dhe në sektorë të tjerë ka filluar nga data 25 gusht e po vazhdon ende.

Nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), kanë paralajmëruar se greva do të vazhdojë deri në përmbushjen e kërkesave të tyre përkundër që Ministria e Arsimit ka bërë thirrje që të fillojë viti shkollor.

Sindikalistët janë duke kërkuar rritje të pagës prej 100 euro, derisa të hyjë në fuqi Projektligji për Pagat.

Shkollat fillore, të mesme dhe kopshtet publike në Kosovë kanë vazhduar grevën dhe nuk kanë filluar vitin shkollor 2022/23.

Përkundër grevës, disa insitucione arsimore kanë filluar procesin mësimor.

KALLXO.com ka raportuar se shkollat e mesme “Ali Sokoli” dhe “Shtjefën Gjeçovi” në Prishtinë kanë filluar vitin shkollor 2022/23 më 1 shtatori dhe mësimi është duke u zhvilluar në këto dy institucione.

KALLXO.com, ka shkuar edhe për shkolla të tjera të cilat kanë filluar ta mbajnë procesin mësimor.

Para tri ditësh, pas përfundimit të takimit të qeverisë me përfaqësuesit e këshillit grevist, kryeministri Albin Kurti në një deklarim për media tha se i kanë pasur 3 propozime, për të cilat sipas tij, janë dakorduar që kryesindikalistët do t’i bisedonin me anëtarësinë.

Por sipas tij, menjëherë pas takimit, kryesindikalistët njoftuar se do ta vazhdojnë grevën.“Neve na u tha në takim se do ta pyesim anëtarësinë. Ndërsa sapo dolën jashtë thanë për media se greva vazhdon. Kur e pyetën anëtarësinë?!” – tha Kurti në konferencë për media.

Me disa përjashtime, shkollat vazhdojnë grevën

Për kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, dizajnimi i kërkesës së sindikalistëve është i pa pranueshëm.

Kurti në debatin për grevën: Kërkesa partikulare nuk mund të maskohet