Mbahet dita e dytë e mësimit në shkollën 'Shtjefën Gjeçovi'

Nxënësit e shkollës së mesme “Shtjefën Gjeçovi” në Prishtinë kanë mbajtur ditën e dytë të mësimit për vitin shkollor 2022/2023.

Nga 79 mësimdhënësit që ka kjo shkollë, vetëm njëri nga ta i është bashkuar grevës së Bashkimit të Sindikatave të Bashkuara të Kosovës (BSPK).

Enkeleda Lamçe, mësimdhënëse në këtë shkollë ka thënë se ka mënyra të tjera që të kërkohet zgjidhje për problemet.

“Më datën 1 shtator në shkollë “Shtjefën Gjeçovi” ka filluar procesi mësimor mund të themi me të gjithë parametrat që mund të përshkruajmë një proces mësimor. Ndihem shumë mirë dhe ndihem shumë e lumtur që jam pjesë aktive e këtij procesi pasi që mendoj që nxënësit në këtë fillim viti duhet të ballafaqohen pikërisht me ato gjëra që i presin në të ardhmen dhe jo të ngarkohen në mënyrat ose të manipulohen ose në një farë forme të ecin përshtatë personave të pa ndërgjegjshëm të cilët na qojnë në rrugë pa krye”- ka thënë ajo.

Bleron Bahtiri, zëvendësdrejtor në shkollën “Shtjefën Gjeçovi” ka treguar se këto dy ditë nxënësit janë paraqitur në shkollë dhe mësimi është zhvilluar.

“Ne paraprakisht e kemi mbajt një mbledhje me të gjthë mësimdhënësit, shumica e tyre, 97% ose më tepër janë deklaru vullnetarisht që donë me mbajë mësim sipas përgatitjeve dhe sipas orarit gjithçka me rregull, me datën 1 kemi njoftu nxënësit dhe kanë fillu me ardh me kohë”- është shprehur Bahtiri.

1 shtatori, fillimi i vitit të ri shkollor ka nisur mes grevës dhe thirrjes për mbajtje të mësimit në shkollat e Kosovës.

Greva e përgjithshme në sektorin publik ka nisur më 25 gusht dhe nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), kanë paralajmëruar se greva do të jetë më intensive nga sot.

Të enjten, kryetari i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, Rrahman Jasharaj, ka njoftuar se ka dorëzuar kallëzim penal kundër ministrit të Financave, Hekuran Murati, pas vendimit për ndalimin e pagave për punëtorët që janë në grevë.