Ilustrim

Me disa përjashtime, shkollat vazhdojnë grevën

Shkolla fillore, të mesme dhe kopshte në Kosovë kanë vazhduar grevën dhe nuk kanë filluar vitin shkollor 2022/23.

Përjashtim kanë bërë disa insitucione arsimore të cilat nuk kanë marrë pjesë në grevë dhe kanë zhvilluar orët mësimore në objektet shkollore.

KALLXO.com ka kontaktuar disa nga Drejtoritë e Arsimit të cilat kanë treguar se a është duke u zhvilluar mësim në shkolla.

Drejtoresha e arsimit në Gjilan, Selvete Sylejmani dhe drejtoresha e arsimit në Vushtrri, Miradije Maloku kanë bërë të ditur se në nga një shkollë në këto komuna është duke u zhilluar mësimi.

“Në fashtin Mirash janë duke mbajtë mësim, në shkollat tjera ndërrimi i paraditës nuk ka mbajtë mësim. Ndërsa edhe më datën 1 dhe 2 shtator dy mësimdhënëse në fshatin Mirash kanë mbajtë mësimin”- ka thënë Sylejmani.

“Vetem një shkollë është prononcu që është duke mbajtë mësim, shkollat tjera janë në grevë”- është shprehur Maloku.

Zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Fatri Zhitia dhe drejtori i arsimit në Pejë, Naser Gega, kanë bërë të ditur se janë disa mësimdhënës që janë duke mbajtur mësim, ndërsa shkollat tjera janë duke vazhduar në grevë.

“Në shumicën e shkollave është duke u mbajtë grevë, ka mësimdhënës që janë duke mbajtë ndamas mësim prej kolegëve të tyre”- ka thënë Zhitia.

Gega nga DKA në Pejë është shprehur  “E kemi një shkollë me pesë mësimdhënës dhe një shkollë tjetër një mësimdhënës që janë kundër grevës jemi duke procedu të shohim çka po ndodhë tutje”.

Ndërsa, nga DKA-të në Ferizaj, Mitrovicë dhe Shtime kanë bërë të ditur se të gjitha institucionet arsimore janë në grevë.

“Të gjitha shkollat fillore, të mesme dhe cerdhet janë në grevë”- ka thënë Lulzim Sahiti, drejtor i Arsimit në Shtime.

Bashkim Bytyçi nga Drejoria e Arsimit në Ferizaj ka thënë “Të gjitha shkollat janë në grevë asnjë nuk është duke mbajtë mësim” dhe Drita Kadriu, drejtoreshë e Arsimit në Mitrovicë ka thënë “Sipas informatave të gjithë mësimdhënësit kanë qenë në grevë edhe sot”.

1 shtatori, fillimi i vitit të ri shkollor ka nisur mes grevës dhe thirrjes për mbajtje të mësimit në shkollat e Kosovës.

Greva e përgjithshme në sektorin publik ka nisur më 25 gusht dhe nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), kanë paralajmëruar se greva do të vazhdojë deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.

Sindikalistët janë duke kërkuar rritje të pagës prej 100 euro, derisa të hyjë në fuqi Projektligji për Pagat.

Ndërsa, Ministria e Arsimit ka bërë thirrje që të fillojë viti shkollor.

KALLXO.com ka raportuar se shkollat e mesme “Ali Sokoli” dhe “Shtjefën Gjeçovi” në Prishtinë kanë filluar vitin shkollor 2022/23 më 1 shtatori dhe mëismi është duke u zhvilluar në këto dy institucione.