Gjilan, i dyshuari që po transportonte 11 kilogramë marihuanë godet me veturë zyrtarin policor

Një zyrtar policor ka marrë lëndime trupore gjatë tentimit për ndaluar një person që po transportonte drogë, në fshatin Llovcë të Komunës së Gjilanit.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë partrullimit, dje rreth orës 14:30 në fshatin Llovcë ka vërejtur një veturë të dyshuar me targa vendorë.

Vetura ka tentuar të shmanget, ku gjatë largimit ka goditur me veturë njërin prej zyrtarëve policor, duke i shkaktuar lëndime trupore.

“Nga zyrtarët e njësisë kufitare është arritur të ndalohet vetura, të cilën e ngiste i dyshuari E.A., m/k (viti i lindjes 2001). Gjatë kontrollit në veturë janë gjetur dhe sekuestruar substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë me peshë të përgjithshme rreth 11 kg” – ka njoftuar Policia e Kosovës.

Me urdhër të prokurorit kujdestar, Policia ka bastisur dy shtëpi të banimit, ku nuk është gjetur asgjë e dyshuar.

I dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa është identifikuar edhe një person tjetër i dyshuar që është në kërkim policor.