Gjendet një veturë në lumin Lepenc

Është gjetur një veturë në lumin Lepenc, rreth 200 metra larg vendit ku ka ndodhur fatkeqësia e familjes Pacolli nga Kosova, informon KlanMk.

Pritet të konfirmohet nëse vetura është BMW e familjes Pacolli dhe nëse brenda saj gjenden anëtarët e kësaj familje.

Në vend të ngjarjes shihen autoritetet dhe zjarrfikësit.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se pasi mori lajmin mbrëmë për aksidentin e ndodhur në aksin rrugor Shkup – Bllacë, me ç’rast një familje nga Kosova ka rënë në lumin Lepenc, është nisur tek vendi ngjarjes.

Sveçla thotë se pas koordinimit me autoritetet e Republikës së Maqedonisë së Veriut, mbrëmë kanë arritur njësitet e para profesionale të Policisë së Kosovës dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës të cilët kanë filluar planifikimin dhe kërkimin në rrjedhën e rrëmbyeshme të Lepencit.

Sipas tij, aktualisht ndodhen 30 pjesëtarë të Policisë së Kosovës, Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe vullnetarë profesionistë të kërkim shpëtimit, të cilët në koordinim dhe bashkëveprim me ekipet profesionale të Maqedonisë së Veriut “janë duke e bërë maksimumin e tyre në lokalizimin dhe nxjerrjen e personave nga lumi”./KlanMacedonia.