Sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit

Gjendet edhe një pjesëtar i grupit terrorist i vrarë në Banjskë

Policia e Kosovës ka gjetur një trup të pajetë të pjesëtarëve të grupit terrorist që sulmuan të dielen fshatin Banjskë të Zveçanit.

Burime të KALLXO.com bënë të ditur se trupi i personit të vrarë është gjetur me uniformë gjatë kontrolleve të Policisë së Kosovës në Banjskë.

Një kontroll i detajuar ka nisur sot në mëngjes në zonën përreth Manastirit të Banjskës.

KALLXO.com merr vesh se Policia e Kosovës është urdhëruar të kontrollojë zonën malore prej nga u arratisën personat e dyshuar për sulmin terrorist.

Prova të reja, pajisje e materiale janë gjetur e konfiskuar në orët e fundit nga vendi i ngjarjes në të cilin për orë të tëra gjatë ditës së djeshme pati  shkëmbime me armë zjarri mes një grupi terrorist dhe Policisë se Kosovës.

Siç mëson KALLXO.com edhe një dron është konfiskuar i cili i përkiste grupit terrorist po ashtu janë konfiskuar edhe shumë automjete të ndryshme.

Pjesëtari i Policisë së Kosovës Agrim Bunjaku u vra, një u plagos dhe një tjetër u lëndua, pas një sulmi nga persona të armatosur në Banjskë të Zveçanit, rreth orës 3 të mëngjesit të së dielës.

Organet e rendit zyrtarisht kanë konfirmuar se tre sulmues janë vrarë dhe gjashtë të tjerë janë arrestuar, dy prej tyre të uniformuar dhe katër të tjerë që ndihmonin në operacion përmes radiolidhjeve.

Shënim: Artikulli është edituar bazuar në informacionet e fundit të Policisë së Kosovës.