Ilustrim

Gjenden edhe disa gëzhoja të tjera në afërsi të lokacionit të parë ku u raportua për të shtëna me armë në Mitrovicë

Dy palë gëzhoja janë gjetur në dy lokacione të afërta në vendin ku sot u raportua se kishte të shtëna me armë në qendër të Mitrovicës.

Lajmin e ka konfirmuar për KALLXO.com zëdhënësi i Policisë së Rajonit të Mitrovicës, Avni Zahiti.

Ai shtoi se deri më tani nuk kanë ndonjë informacion të saktë se gëzhojat janë të ditës së sotme ndërsa ekipet policore janë duke punuar në ndriçimin e rastit.

“Ajo çka mund të ju them është që janë gjetur edhe disa gëzhoja në afërsi të lokacionit të parë por ekipet policore janë duke punuar në rast. Nuk mund të themi se ato janë të ditës së sotme apo të ditës së djeshme. Deri më tani nuk ka ndonjë person të dyshuar”, tha Zahiti.

I njëjti shtoi edhe se po punojnë që të identifikojnë personat që kanë gjuajtur në atë zonë.

KALLXO.com raportoi sot se rreth orës 13:00 është raportuar për disa të shtëna me armë zjarri në rrugën “Evlia Çelebi” në Mitrovicë.

Nga këto të shtëna nuk ka pasur ndonjë të lënduar ndërsa policia është ende në vendin e ngjarjes duke kryer ekzaminimet e vendit të ngjarjes pas gjetjes së gëzhojave.

Të shtëna me armë në Mitrovicë