Gjashtë raste të dhunës në familje në Kosovë brenda 24 orëve

Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë janë raportuar gjashtë raste të dhunës në familje.

Në Prizren, dyshohet se një grua është sulmuar fizikisht nga burri i saj, meqë rast ka pësuar edhe lëndime trupore.

“Viktima ka pranuar tretman mjekësor ndërsa i dyshuari pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt”, njofton Policia.

Ndërsa në qytetin e Klinës janë raportuar dy raste të dhunës në familje.

Një person është arrestuar nën dyshimin se ka ushtruar dhunë fizike ndaj djemve të tij. I dyshuari është dërguar në mbajtje.

Ndërsa, në rastin e dytë të dhunës në familje në Klinë është arrestuar një person nën dyshimin se ka kanosur verbalisht nënën dhe vëllain e tij.

Sipas Policisë i njëjti kishte demoluar edhe disa orendi shtëpiake.

“Me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim.

Policia njofton se në Gjakovë është arrestuar një person, i cili dyshohet se ka sulmuar fizikisht nënën e tij. Sipas raportit të Policisë, i arrestuar dyshohet se ka qenë i dehur.  Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Në Rahovec, një grua ka raportuar se burri i saj ka ushtruar dhunë ndaj saj.

“Pas intervistimit të palëve, me vendim të prokurorit, rasti shkon në procedurë të rregullt”, njofton më tutje.

Edhe në Vushtrri është arrestuar një person nën dyshimin se ka ushtruar dhunë fizike ndaj gruas së tij.

Sipas Policisë, viktima ka pranuar tretman mjekësor ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje.